Rama prezanton projektin për lagjen “Dardania”

08 nëntor 2021 | 14:33

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka shpalosur projektin për lagjen “Dardania”.

Ai ka thënë se në këtë lagje do të mundësojnë nënkalimin për vetura dhe do të krijojnë parkun urban.

“Do të mundësojmë nënkalimin për vetura dhe krijojmë parkun urban me sipërfaqe ku aktualisht është rrugë kryesore. E gjithë sipërfaqja përmbi nënkalimin për vetura do të transformohet në park urban, me mundësi të lëvizjes vetëm për këmbësorë, për persona me aftësi të kufizuara, për biçikleta dhe trotinet, me çka do të lehtësohet dhe shkurtohet qasja e banorëve të ‘Kalabrisë’ me ‘Dardaninë’ dhe qendrën”, ka thënë Rama.

Më tutje, ai ka thënë se rruga nëntokësore do të lidhet me parkingun e madh të lagjes “Dardania”.

“Rruga nëntokësore e veturave do të lidhet edhe me parkingun e madh nëntokësorë të lagjes ‘Dardania’, të cilin do ta pozicionojmë afër bashkësisë lokale, ku aktualisht ndodhet parkingu mbitokësorë”, ka thënë Rama, duke shtuar se kostoja e këtij projekti do të kushtojë 15 milionë euro.

“Kjo ndërhyrje na jep mundësinë që të zhvillojmë edhe një shirit të zonës komerciale me dyqane-lokale, çka do të mundësojë që projektin ta financojmë me investime të partneritetit publiko-privat. Kohëzgjatja e projektit do të jetë dy vite dhe kostoja e gjithë projektit do të kushtojë 15 milionë euro”.

“Do të adresojmë edhe problemin e grumbullimit të mbeturinave, të cilat përveç se bartin potencialin për sëmundje, po ashtu i tërheqin qentë endacak, sikurse në gjithë qytetin qentë endacak do të trajtohen dhe strehohen”, është shprehur Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është takuar sot me raportuesen…