Rama pritet nga Mbreti i Spanjës
Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Spanjë. Ai do të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s që do të zhvillohet ditën e mërkurë dhe të enjte në Madrid.
Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama ishin të ftuar dje në darkën mbretërore gala organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti Felipe VI i Spanjës dhe Mbretëresha Letizia në Pallatin Mbretëror të Madridit, ku morën pjesë kryetarët e qeverive dhe të shteteve anëtare të NATO-s.
Ditën e mërkurë, kyeministri, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë në Samit, do të mirëpriten nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, z. Jens Stoltenberg dhe pesidenti i Qverisë së Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sanchez.
Në vijim, kryeministri Rama do ta ndjekë seancën plenare të Samitit, ku të pranishëm do të jenë edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Fjala e hapjes së Samitit do të mbahet nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sanchez, do të mbajë një fjalë përshëndetëse, njofton Kryeministria.
Samitit do t’i adresohet online edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Pas përfundimit të seancës plenare, kryetarët e shteteve dhe të qeverive, pjesëmarrës në Samit, do ta vizitojnë ekspozitën e teknologjisë së NATO-s.
Pasditen e së mërkurës kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama do ta vizitojnë Muzeun Kombëtar Prado në Madrid, më pas kryeministri Rama do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga presidenti i Qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez.
Samiti i NATO-s do të vijojë punimet të enjten, në ditën e dytë të tij, ku kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë, së bashku me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.
Në këtë seancë Samitit do t’i drejtohet edhe presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald Connolly.
Në ditën e dytë të punimeve të Samitit, kryeministri Rama do të zhvillojë një takim bilateral me kryeministren e Suedisë Magdalena Andersson.
Në përfundim, kyeministri Rama do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me Enagás, e cila është një kompani spanjolle energjetike dhe operator evropian i sistemit të transmetimit, i cili zotëron dhe operon rrjetin e gazit të Spanjës.