Rama: Problem i qenve endacakë nuk zgjidhet vetëm me Prishtinën
Komuna e Prishtinës ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me përfaqësuesit e BE-së, organizata joqeveritare dhe akterë të tjerë profesionalë të fushës mbi strategjinë kornizë për trajtimin e qenve endacakë.
Pas tryezës, kryetari i komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka deklaruar se për ta zgjidhur këtë problematik, komuna duhet të bashkëpunoj me institucionet tjera.
“Ideja ka qenë që kjo të jetë një tryezë e parë e cila ka me qenë në vazhdimësi, pra e rregullt derisa ta vejmë në kontroll problemin me të cilin hasemi me qentë endacak. Pikat të cilat i shqyrtuam është se komunat duhet të punojnë së bashku, pra problemi nuk mund të zgjidhet vetëm në nivelin lokal në Komunën e Prishtinës, por duhet të jetë një bashkëveprim rajonal. Një bashkëveprim gjithë shtetërorë për zgjidhjen e problemeve të qenve endacakë. Problemet kyçe vijnë nga mospërfillja e rregullores dhe ligjit që tash është i nivelit qendrorë e po ashtu edhe i nivelit lokal ku kërkohet që çdo pronar i qenve të bëjë regjistrimin e qenve, që të kemi përgjegjësi të pronarëve që kanë qenë, në mënyrë që në momentin që lëshohen të dihen të kujt janë, të jenë të menaxhuar dhe të mos vazhdojmë shtimin e popullimit të qenve ”, ka deklaruar Rama.
Ai ka treguar se procesi i kastrim-sterilizimi të qenve do të ndodh në vazhdimësi.
“E kemi inicuar kontratën me organizatën joqeveritare e cila merret pikërisht me këtë çështje pra kastrim-sterilizimin e qenve. Në momentin nëse gjendet ndonjë tufë e qenve në një zonë që duket se cenojnë shëndetin e njeriut, pra janë të rrezikshëm, atëherë vetëm se kemi kontratën me organizatën e cila merret menjëherë me këtë problem. Aspekti tjetër është se duhet të merremi me pika të ndryshme, pra nuk është një gjë lineare, janë aspektet tjera të ushqimit të qenve, për momentin janë vetëm pesë pika, ne jemi duke i bërë 20 dhe tërë kohën duke i monitoru edhe pikat tjera që duhet me u shtu për me e zbritë problemin e kafshimit nga qentë.”, ka deklaruar ai.