Rama publikon masat e lehtësuara që hyjnë në fuqi nga e hëna
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka bërë me dije se duke parë se kurba e personave të prekur nga koronavirusi është me e ulët nga pritshmëria, ka vendosur të ndërmarrë disa masa lehtësuese që do të hyjnë në fuqi nga fillimi i javës së ardhshme.
Rama ka deklaruar se shpreson që fundi i majit të sjellë daljen nga faza e parë e përpalljes me pandeminë COVID-19.
Postimi i plotë i kryeministrit Rama:
Në kushtet kur kurba e infeksionit është më e ulët se pritshmëria jonë më optimiste, si rezultat i masave të forta që kemi marrë në kohën e duhur dhe rezistencës fantastike të popullit në unitet me shtetin;
Në kushtet kur mund të shohim me optimizëm të arsyeshëm fundin e muajit maj si një dalje nga kjo fazë e parë përpalljeje të gjithanshme me armikun e padukshëm, ku një pjesë e madhe e aktivitetin ekonomik mund të rikthehet në një normalitet të ri dhe shumë kush mund të rikthehet në punë, me rregulla të mirëpërcaktuar natyrisht.
Në kushtet kur duhet të përballojmë dyzet ditë shumë të rëndësishme, për fitoren e kësaj faze vendimtare të rezistencës sonë të përbashkët, duke u hapur me kujdesin më të madh e me disa hapa shumë të matur, duke vendosur njëkohësisht masa të rrepta penale për shkelësit, që të blindojmë rezultatet e arritura me sakrificë ditë pas dite dhe të mbajmë mbyllur çdo shteg rikthimi të armikut;
Do të zgjerojmë duke nisur nga e hëna fashën orare të shërbimeve ushqimore, farmaceutike dhe bankare, deri në orën 17.30.
Do të zgjerojmë brenda javës së ardhshme (nëse kurba e infeksionit do të qëndrojë në trendin aktual) mundësinë e lëvizjes me automjet privat të atyre që punojnë në hapësirën e lejuar të aktivitetit ekonomik
Do të miratojmë javën që vjen në parlament risitë e kodit penal / rrugor për periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme të epidemisë.
Do të përgatisim brenda javës tjetër rregulloren e standardeve bazë të sigurisë për njësitë ekonomike të shërbimit që do të hapen në javët e mëtejshme
Do të publikojmë fillimjavën e ardhshme, paketën e zgjeruar të mbështetjes financiare, për të lehtësuar drejtpërdrejtë:
1) Bizneset e vogla që edhe pse nuk u mbyllën gjatë kësaj periudhe, u goditën ndjeshëm në xhiron e tyre si pasojë e luftës, si për shembull agjenci turistike, rrobaqepësi e mobilieri të vogla, hidraulikë, elektriçistë, fizioterapi, kancelari, servise makinash e lavazhe të liçencuar, etj., përfshirë edhe shoferët e taksive e të linjave të transportit urban e punonjësit e tyre…
2) Punonjësit e bizneseve të mëdha, që bazuar në listë-pagesat e fundit të ditës së djeshme, figurojnë të goditur nga lufta në vendin e tyre të punës, të cilëve do t’u sigurojmë mjetet e nevojshme financiare të rezistencës për dyzetë ditët vendimtare në vijim – duke mbajtur parasysh se një pjesë e madhe e tyre mund të rikthehen në punë deri në fund të majit dhe se paketa mund të rizgjerohet, sipas dinamikës e nevojave të luftës në 10 ditëshin e fundit të muajit maj.
3) Sektorët e turizmit e të industrisë fason dhe njësitë prodhuese në tërësi.