Rama publikon pamjet nga firmosja e marrëveshjes për energjinë
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e nisi ditën sot me një fotoalbum nga takimet e djeshme në Abu Dhabi ku edhe u nënshkrua një marrëveshje mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Araba për lidhjen nënujore energjetike me Italinë.
Po ashtu kryeministri thotë se është firmosur edhe marrëveshja për krijimin e Agjencisë së Përbashkët të Letrave me Vlerë, e cila sipas tij do të ngrejë në një nivel tjetër edhe gjurmimin fiskal të mallrave të importit.
“Mirëmëngjesi dhe me FotoALBUMIN e ditës së djeshme në Abu Dhabi, ku u nënshkrua një marrëveshje strategjike tripalëshe për lidhjen nënujore energjetike me Italinë, si edhe marrëveshja për krijimin e Agjencisë së Përbashkët të Letrave me Vlerë, e cila ndër të tjera do të ngrejë në një nivel tjetër edhe gjurmimin fiskal të mallrave të importit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
MARRËVESHJA
Në Emiratet e Bashkuara Arabe u firmos dje marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri, ndërmjet, qeverisë së Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës së Italisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
Marrëveshja bashkon vendet në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme. Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed, si dhe përfaqësues të qeverive të vendeve përkatëse. Kryeministri Rama e konsideroi një transformim total dhe formësim të të ardhmes së Shqipërisë, si një vend që fiton pavarësi energjetike dhe drejt realizimit të objektivit për eksportim të energjisë, si një lojtar kyç në rajonin e Ballkanit.
“Lidhja do të ketë pronësi të trefishtë dhe do të mbështetet nga investimet domethënëse të përbashkëta në rritjen e kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë. Kjo shkon në funksion të ambicies tonë për t’u bërë të pavarur nga importi na jep dhe rol si eksportues në BE”,- deklaroi Rama në një videomesazh. Për mediat italiane, të pranishme në Dubai, Rama bëri me dije se linja e interkonjeksionit është një investim 1 miliard euro dhe do të jetë gati brenda 3 viteve, ndërsa në samitin e zhvilluar në kryeqytetin e emirateve vlerësoi maksimalisht mbështetjen e Presidentit të EBA Sheikh Mohammed bin Zayed dhe rolin e kryeministres italiane Meloni. Vlera e infrastrukturës shkon një miliard euro dhe do të funksionojë maksimumi për tre vjet”,- shpjegoi Rama duke folur për shtypin italian përpara samitit, shkruan Ansa. Më herët, në Samitin e “Javës së Qëndrueshme” në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kryeministri tha se marrëveshja do të shërbejë për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon.
“Marrëveshje strategjike me Italinë dhe Emiratet për kabllot nënujore që është përmendur si instrument i rëndësishëm jo vetëm për transmetimin e energjisë së përtërishme për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon. Ky hap për rajonin dhe Europën nuk do ishte i mundur pa bashkëpunimin e Emiratet dhe pa dikë që dua të përmend se ka qenë kyç në orientimin doktori Sulltan Axhav. Prodhimi energjetik është 100% nga burime të ripërtërishme. Përqindja e energjisë së përtërishme është 44%. E bën Shqipërinë pjesë të vendeve në krye të listës europiane së bashku me vendet skandinave për % e energjisë së përtërishme”, – tha Rama.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila ishte e pranishme në ngjarje për të mbështetur marrëveshjen strategjike që do të ndihmojë Shqipërinë të arrijë objektivat e saj energjetike dhe të bashkohet më tej me familjen europiane.
“Është një kontribut jo vetëm për energjinë, por për paqen dhe bashkëpunimin në rajon. Në mënyrë të tillë që të gjithë ne duam të arrijmë duke u bashkuar me familjen europiane. Shpreh mirënjohjen time edhe për dikë që sapo hyri në sallë dhe të gjithë u ngritët në këmbë, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, Që është këtu për të bekuar këtë marrëveshje”, – tha Edi Rama.
Kryeministrja e Italisë e vlerësoi marrëveshjen si një hap konkret drejt një ndërlidhjeje mirëfilli globale, nga Azia në gji, nga Afrika e Veriut në Europë, e aftë për të furnizuar me energji në mënyrë të dykahshme.
“Italia është e lidhur në mënyrë tradicionale me Ballkanin Perëndimor, siç tregon dhe miqësia ime me kryeministrin Edi Rama dhe përgjatë kohës ka sjellë po kështu si rezultat edhe projekte në infrastrukturën energjetike. I referohem për shembull ndërlidhjes energjetike për 430 km përgjatë Adriatikut që lidh Italinë me Malin e Zi dhe me rajonin e Ballkanit është një infrastrukturë strategjike që synojmë ta forcojmë dhe ta bëjmë më efikase e konkurruese dhe synojmë që të ecim në këtë drejtim, kështu që jam jashtë mase e gëzuar, ashtu siç e shpalli dhe Edi më parë që të nënshkruaj kuadrin e partneritetit strategjik për të nisur një projekt po aq ambicioz midis dy brigjeve te Adriatikut, ku Lartmadhëria e tij Sheikh Mohammed bin Zayed dhe Kryeministri Edi Rama, dy miq të mirë të mitë, dy miq të mirë të Italisë do të marrin pjesë në nënshkrimin e një angazhimi jashtë mase të rëndësishëm, për të zbatuar një ndërlidhje të re energjetike për të prodhuar energji të gjelbër në Shqipëri dhe për eksportimin e një pjese të kësaj energjie në Itali përgjatë një kabulli nënujor përgjatë detit Adriatik”,- tha Meloni.
Ndërlidhja energjetike 430 km përgjatë Adriatikut konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme strategjike, duke pasur parasysh edhe një ligj të Bashkimit Evropian që hyn në fuqi në vitin 2026, që do t’i japë më shumë prioritet energjisë së rinovueshme, miqësore me mjedisin. Marrëveshja, për palën shqiptare u nënshkrua nga zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku./ Gazeta Panorama