Rama publikon propozimin për faljen e tatimit në pronë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka propozuar faljen e tatimit në pronë.
Rama ka thënë se ky propozim do t’u ndihmojë të gjithë qytetarëve të Prishtinës dhe nuk do të dëmtojë buxhetin e kryeqytetit.
Ai ka kërkuar nga asamblistët që të votojnë të gjithë në seancën e radhës, që do të mbahet të enjten.
“Propozimi për faljen e tatimit në pronë. Propozoj që çdo ndryshim i vlerës së tatimit në pronë nga viti 2022 në vitin 2023, prej 0 deri në 100 euro të falet”.
“Pra, nëse një pronë ka pasur tatimin 50 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 70 euro, atëherë falja do të jetë 20 euro”.
“Nëse një pronë ka pasur tatimin 120 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 300 euro, atëherë falja do të jetë 100 euro”.
“Ky propozim do t’u ndihmojë të gjithë qytetarëve të Prishtinës, dhe nuk do të dëmtojë qëndrueshmërinë buxhetore të kryeqytetit. Njëherësh nuk do të cenojë mundësinë e zhvillimit dhe transformimit të mirëfilltë të Kryeqytetit për të mirën e të gjithëve, prandaj lus secilin asamblist, pa dallim, që në seancën e radhës të votojë PËR!”, ka shkruar Rama në “Facebook”.