Rama: Puna ime po u pengon disa ministrave të Kurtit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i është kundërpërgjigjur ministrit të Financave, Hekuran Muratit, lidhur me projektin “Solar4Kosovo”, për të cilën Murati e ka akuzuar Ramën se po i merr meritat për punën e të tjerëve.
Rama ka thënë se tash e sa kohë, puna e tij është duke u penguar disa ministrave të qeverisë Kurti, duke aluduar në Muratin dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekun.
“Një prej këtyre sulmeve ndodhi edhe dje, kur kryeqyteti nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Obiliqit për realizimin e projektit të ngrohjes diellore ‘Solar4Kosovo’. Me anë të kësaj marrëveshjeje ne si kryeqytet kemi marrë përgjegjësinë që të kryejmë obligimet financiare që do të dalin nga procesi i shpronësimit të pronave të cekura në marrëveshje, sepse pa këtë shpronësim nga ana e Kryeqytetit nuk bëhet projekti”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Rama ka thënë se për këtë marrëveshje, Prishtina dhe Obiliqi kanë punuar 18 muaj në mënyrë intenzive dhe në këtë proces kanë bashkëpunuar me Ministrinë e Mjedisit, për ta rregulluar jetën e qytetarëve.
Ai ka thënë se njëjtë ka ndodhur edhe për Lojërat Mesdhetare, duke shtuar se kjo gjuhë e përdorur nga ministra të caktuar të qeverisë, përveç se e dëmton organizimin e këtyre lojërave, e prish edhe imazhin e Kosovës.
Rama ka deklaruar se këta ministra i kanë mbajtur rreth 30 milionë euro të kryeqytetit të bllokuara, duke përfshirë edhe projektin e unazës së kryeqytetit. “Më tutje, këta ministra: i mbajtën afër 30 milionë euro buxhet të kryeqytetit në mënyrë të padrejtë deri në muajin korrik 2023 nuk e përfshinë kryeqytetin në përzgjedhje të projekteve të mëdha infrastrukturore siç është salla e Operës dhe Baletit vazhdojnë të bllokojnë projektin e unazës së kryeqytetit dhe vazhdimisht refuzojnë kërkesat për bashkëpunim. Prandaj, si kryetar i kryeqytetit do të vazhdojë punën me përkushtim për transformimin e kryeqytetit në frymë bashkëpunuese dhe ju bëj thirrje ministrave përkatës të ndryshojnë qasjen në raport me Prishtinën dhe të angazhohen për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë Rama.