Rama reagon pas vrasjes së policit në veri, kërkon konferencë të jashtëzakonshme paqeje
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë ku një polic i Kosovës është vrarë në Banjskë të Zveçanit, ngjarje të cilin e ka quajtur “këmbanë të madhe të alarmit”
“Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë”, ka shkruar Rama në “Twitter”.
Në këtë kontekst, ai ka kërkuar nga komunitetit euroatlantik që ta përdorë forcën për ta kthyer Kosovën dhe Serbinë në tavolinën e bisedimeve.
“Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e dialogut të normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e garancinë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, ka shkruar Rama.
Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën…
— Edi Rama (@ediramaal) September 24, 2023