Rama: Me reformën, do bëhet drejtësia
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një ceremoni përkujtimore për viktimat e 21 janarit, ka deklaruar se reforma në drejtësi do të sjellë shumë shpejt frytet e saj.
“Drejtësia ka humbur beteja, por jo luftën. Çerekshekulli padrejtësi janë shumë, por nuk janë shumë për një komb që nuk ka pasur kurrë shtet të së drejtës dhe institucione demokratike. Gjërat po ndryshojnë në drejtimin e duhur. Reforma në drejtësi ishte utopi, por sot reforma në drejtësi ka kaluar, ethet e frikës nga ndëshkimi i kanë kapur të pushtetshmit. Në shkurt, me siguri, do të nisë ndëshkimi i të korruptuarve që mbajtën peng drejtësinë për kaq shumë vite. Duhet të ishte bërë me kohë, por nuk u bë dhe kush nuk e bëri me kohë sot kërcënon të marrë peng Shqipërinë si të tërë, duke e ndaluar të ulet në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE”, ka thënë Rama.
“21 janari është kthyer në dëshmitar të pafuqisë së njeriut të zakonshëm të këtij vendi përballë murit qorr dhe shurdh të drejtësisë së tredhur nga korrupsioni. Ziveri, Faiku, Hekurani dhe Aleksi nuk janë më në këtë jetë prej 7 vjetësh. Plaga e padrejtësisë në shpirtin e familjeve është 7-fish. Ka ikur dhe një vit tjetër dhe drejtësia sërish ka vonuar. Të vrarët në bulevard u rivranë në gjykatë”, ka thënë Rama.