Rama: Sa më fort që mbrohemi aq më shumë e ngadalësojmë virusin
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në profilin e vet statistikat e Covid 19 në Shqipëri, nga të cilat tregohet se janë kryer 505 teste për koronavirus, ku 38 kanë dalë pozitive dhe 467 negative, ndërsa ka pasur edhe një viktimë. Këto janë shifrat e publikuara edhe më parë nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa Rama shkruan se dy javët e ardhshme do të tregojnë shumë lidhur me kurbën e rritjes së rasteve pozitive. Kryeministri bën thirrje që t’i kushtohet sa më shumë kujdes higjienës dhe në mënyrë që të ulet rreziku i infektimit.
“Dy javët e ardhshme do të na tregojnë shumë lidhur me kurbën e rritjes së rasteve pozitive në territorin tonë. Ta përgatisim veten dhe njëri-tjetrin për mbrojtje sa më të fortë këto dy javë dhe të shohim, hap pas hapi, sa do të shtrihet armiku mes nesh. Sa më fort të mbrohemi, aq më shumë ia ngadalësojmë shtrirjen dhe ia rrisim shanset vetes që të kujdesemi për ata që do ta kenë pisk. Duke parë çfarë po bëjnë të gjithë vendet e tjera, kini besim se kemi bërë dhe po bëjmë të gjithë hapat e duhur, në kohën e duhur. Frikë aspak, kujdes po”, shkruan Rama.
Kujtojmë se në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, kryeministri Rama ka dhënë urdhër për të ndaluar qarkullimin e makinave private, ndërsa baret, restorantet dhe ambientet e tjera që mund të grumbullohen njerëz janë mbyllur deri në datën 3 prill.