Rama: Sa më shumë zgjatet konflikti, aq më shumë lëndohet Kosova
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas incidenteve në veri të Kosovës, ndërsa u bën thirrje krerëve të shtetit që të dëgjojnë aleatët që situata të mos rëndohet edhe më shumë.
Sipas Ramës, Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht me këtë situatë të rënduar.
“Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare!”, thotë Rama.
Nga ky udhëkryq, konflikti në Kosovë, sipas kreut të qeverisë, mund të dilet vetëm me dialog mes dy vende dhe me aleatë të fuqishëm.
“Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm”, thekson kryeministri Rama.