Rama: S’do të ketë më mjekë që punojnë edhe në spitale publike edhe në private
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar këtë të martë për arrestimet e fundit në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Ai ka thënë se ky është një mesazh i qartë për të gjithë ata që e kanë ndotur figurën e mjekut.
“Ky rast kaq skandaloz dhe kaq domethënës është një mesazh i qartë për të gjithë atë pjesë të trupës së bluzave të bardha, që për fat të mirë është një pakicë, por e mjaftueshme për të ndotur pastërtinë e bluzave të bardha, për të ndotur performancën që vazhdon. Patjetër që është edhe një mesazh i qartë për të ardhmen”, ka thënë ai.
Më tutje, Rama ka folur për reformë në shëndetësi, duke theksuar se do të marrë fund punësimi i mjekëve si në spitalet publike dhe në ato private.
“Unë besoj se kura afatgjatë dhe e suksesshme për të adresuar plagën kanceroze të ryshfetit në shëndetësi është thellimi i reformës së sistemit, reformë që ne e kemi nisur dhe tashmë kemi një bazë solide për të hedhur hapin e madh të autonomisë spitalore, të motivimit të mëtejshëm të mjekëve në bazë të kartës së performancës së tyre. Natyrisht, të kalimit në tërësi në një fazë tjetër, ku faktikisht, bazuar në modelet më të mira, mund të arrijmë dhe do të arrijmë që spitalet publike të funksionojnë me një logjikë që harmonizon shërbimin falas për qytetarët me shpërblimin motivues për mjekët. Historia e mjekëve me dy stacione, një në spitalin publik dhe një në klinikën private, merr fund”, është shprehur Rama.