Rama: Seanca e Këshillit të Sigurimit e pakuptimtë, Kosova të koordinohet me aleatët

09 shkurt 2024 | 12:28

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur të pakuptimtë debatin në Këshillin e Sigurimit në Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në mes të Kosovës dhe Serbisë për dinarin serb.

Përmes një postimi në platformën “X”, Rama ka thënë se të dy shtetet duhet të përqendrohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera që përfitojnë jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm.

“Ishte një seancë pa kuptim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është e qartë se nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që aspirojnë anëtarësimin në BE, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera që përfitojnë jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm, duke siguruar edhe një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se Shqipëria do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, mirëpo kërkoi nga liderët e Kosovës që të koordinohen ngushtë me aleatët.

“Ndërsa qëndrojmë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, Shqipëria do të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë. Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka shkruar Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moana po kthehet për një film të dytë, dhe ne…