Rama shfuqizon vendimin për planin rregullues të lagjes ‘Kalabria’
Mes tensionesh e diskutimeve ndërmjet protestuesve dhe asamblistëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës të premten është shfuqizuar vendimi i Planit rregullues të hollësishëm për lagjen “Kalabria”.
Shfuqizimi i vendimit ka ndodhur në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Qytetarët e lagjes “Kabaria” me zë të lartë kanë kërkuar që kjo pikë të mos shfuqizohet. Të njëjtën gjë e kanë kërkuar edhe opozita, LV-ja, AKR-ja dhe AAK-ja, të cilët kanë lëshuar sallën.
Fillimisht kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se aspekti i shfuqizimit është si rezultat i vendimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ministri kjo sipas tij, ka shpallur të pavlefshëm Planin rregullues të miratuar nga qeverisja e kaluar.
Kryetari Rama ka premtuar se brenda periudhës gjashtëmujore do të fuqizojnë planin rregullues për “Kalabrinë”.
“Koeficienti nuk mundet me u rritë prej 1.8 deri në 2.4 pa analizuar në mënyrë të mirëfilltë impaktin që e ka në hapësirat ku jetojmë, sepse mundet me pasur impakt negativ. Unë nuk jam kundër koeficientit 2.4. Mirëpo duhet të shfuqizohet ky vendim për arsye se është kërkesë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, pra nuk është e ligjshme, dhe dy si më e rëndësishme që ne duhet ta bëjmë një analizë të mirëfilltë se çka tash i nevojitet kësaj zone për destinimin e funksioneve të tjera në ndërlidhshmëri me koeficientin 2.4”, ka thënë Rama.
Gëzim Sveçla, shef i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, ka thënë se shfuqizimi i këtij vendimi është në dëm të qytetarëve të asaj lagjeje dhe të Komunës së Prishtinës.
Për këtë arsye partitë opozitare, LV-ja, AKR-ja dhe AAK-ja e kanë lëshuar sallën për këtë pikë të rendit të ditës. /Ksp/