Rama: Shqipëria është shembull për respektimin e të drejtave të pakicave
Një shembull të ndritshëm në respektimin e pakicave, përfshirë atë greke. Kështu e ka konsideruar Shqipërinë, kryeministri Edi Rama gjatë një interviste të dhënë për ‘Euronews Greqi’.
Ai i ka konsideruar “marrëzi” reagimet nga disa anëtarë të pakicës greke, për ligjin e ri të shpronësimeve, të cilët frikësohen për pasuritë e tyre.
“Shqipëria është një shembull i ndritshëm i respektit për të gjitha pakicat dhe për grekët, të cilët kanë jetuar atje për shumë vite, në të njëjtat kushte si shqiptarët. Po, kur ka probleme, ato janë të njëjta për të gjithë, jo për një pakicë apo tjetrën. Pra, këto janë marrëzi”, është shprehur Rama.
Sipas kryeministrit shqiptar, e gjithë zhurma që po bëhet mbi këtë ligj ka të bëjë me agjenda politike.
“Sa i përket ligjit, ne kemi punuar për një kohë të gjatë për të zgjidhur çështjet e pronave, shumë të komplikuara pas rënies së komunizmit, pasi regjimi nuk lejonte asnjë pronë. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është thjesht të riformulojmë legjislacionin ekzistues për të mirën e të gjithëve, dhe të luftojmë një sistem korrupsioni që derdh mund të themi, gjakun e njerëzve për pronat e tyre. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me pakicën greke, por me të gjithë”, ka deklaruar Rama.
Sa i përket kufijve detarë midis dy shteteve, Rama është treguar i rezervuar në intervistë, duke përmendur vetëm progresin e arritur në disa pika me qeverinë e mëparshme greke.
“Ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme për disa kohë dhe kemi bërë përparim të konsiderueshëm. Duhet të vazhdojmë të punojmë me qeverinë e re, duke shpresuar se do të gjendet një konsensus”, ka thënë Rama.
Kryeministri është pyetur edhe mbi vdekjen e ekstremistit Kostandin Katsifas, në Bularat të Gjirokastrës. Rama i qëndroi deklaratës se ajo ngjarje ishte një “çmendur ekstremiste”.
I pyetur nëse vdekja e Katsifas mund të çojë në konflikte të vazhdueshme midis komunitetit grek dhe atij shqiptar, Rama e hodhi poshtë si mundësi.
“Unë nuk mendoj kështu. Përkundrazi, besoj se historia e dy komuniteteve tregon që nëse politika ose agjendat e ndryshme politike nuk ndërhyjnë, komunitetet janë një. Prandaj nuk ka ndarje apo urrejtje në zemrat e komuniteteve ku shqiptarët dhe grekët kanë jetuar së bashku për shumë vite. Ata janë një shembull i shkëlqyeshëm se si politika duhet të merret me faktin se ne jemi fqinjë dhe sa “të mallkuar” jemi për të jetuar së bashku dhe ta duam njëri-tjetrin. Nëse politika nuk fut hundët për interesa të brendshme dhe përpiqet të fitojë mbështetje duke ushqyer urrejtje, asgjë e keqe nuk mund të ndodhë”, ka thënë Rama.