
Rama: Shqipëria ka kalendar të qartë anëtarësimi në BE, 11 maji me rëndësi për të mos humbur momentin
Kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është shprehur se zgjedhjet e 11 majit kanë rëndësi gjeostrategjike për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke i cilësuar ato si më të rëndësishmet pas vitit ’91-’92.
Gjatë takimit me asambletë socialiste të Kavajës dhe Vorës është shprehur se janë krijuar kushtet për të hyrë në Bashkimin Evropian (BE).
“Dua të theksoj faktin që është shumë e rëndësishme për çdo udhëheqës, pjesë të trupës udhëheqëse të Partisë Socialiste që do të thotë për çdo të deleguar, për çdo kryetar organizate, që të mbajë parasysh rëndësinë shumë të posaçme të këtyre zgjedhjeve, jo thjesht për PS-në, se për PS-në të gjitha zgjedhjet kanë qenë të rëndësishme, por për Shqipërinë. Pas zgjedhjeve të 1991-1992 këto janë zgjedhjet e para që kanë një peshë gjeopolitike dhe që lidhin drejtpërdrejtë fatin e vendit tonë, fatin evropian të vendit tonë. Sot janë krijuar kushtet që ne të hyjmë realisht në BE, si rrjedhojë e përputhjes së rrethanave tona të brendshme me rrethanat e Bashkimit Evropian dhe për herë të parë mundësia për t’u bërë pjesë e BE-së është reale”, ka thënë Rama.
Kryeministri Rama ka theksuar se ekziston një kalendar për negociatat me Shqipërinë, që është edhe më i shpejti në historinë e integrimit të një vendi në BE.
“Kemi një kalendar për negociatat që është kalendari më i shpejtë në historinë e integrimit evropian që na është dhënë për t’i mbyllur negociatat në vitin 2027. Dhe kemi mundësinë që nëse i mbyllim deri në 2027, të hyjmë dhe të bëhemi anëtarë të BE-së. Kjo do të thotë që Shqipëria të kalojë në një nivel tjetër në të gjitha aspektet, duke filluar nga individi, nga pasaporta e Republikës së Shqipërisë, e cila nuk do të jetë më ajo që është thjesht e vetëm një mundësi për të lëvizur, por pa mundësinë për të qëndruar, punuar, për të marrë shërbimet shëndetësore dhe për t’u rimbursuar njësoj si me qenë në vendin tënd, pa mundësinë për studentët që të jenë studentë në BE dhe të mos trajtohen si studentë ndërkombëtarë, por të trajtohen si studentë që janë në vendin e vet”.
“Ne hyjmë dhe bëhemi pjesë e barabartë e asaj familjeje, e një familje ku ne flasim gjuhën tonë, secili flet gjuhën e vet, ama na bashkon gjithë ombrella e legjislacionit dhe e të jetuarit së bashku. Ku edhe buxheti i vendit tonë do të marrë një rritje të fuqishme nga mbështetja e BE-së, se në momentin kur hyjmë në BE, hyjmë në kategorinë e shteteve përfituese. BE ka dy ka kategori, shtetet kontribuuese që janë ata më të pasurit, më të mëdhenjtë, më të zhvilluarit, janë edhe përfituesit, që janë më të vegjlit që janë në zhvillim e sipër si ne dhe ata të mëdhenjtë kontribuojnë që më të vegjlit të forcohen”.
“Dhe nëse ne gjatë gjithë këtyre viteve, nga BE kemi marrë 630 milionë euro, duke u bërë anëtarë do të marrim mbi 1 miliardë çdo vit, ku është ndryshimi. 300 milionë çdo vit, vetëm për bujqësinë, për fermerët, për agropërpunimin, agrobiznesin, agroturizmin dhe për gjithçka që ka të bëjë me bujqësinë”, ka thënë Rama.
Sipas kryeministrit, “e gjitha kjo mund të mos ndodhi nëse në 11 maj, Shqipëria nuk voton fuqishëm PS dhe nuk voton fuqishëm për të vazhduar një proces që nuk është një fjalë goje, por një punë e përditshme me detyra të pafundme”.