Rama: Shqiptarët dorëzuan edhe arin, por jo hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore (Video)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë i ftuar nderi në “Sesionin pyetje dhe përgjigje”, përpara 18 mijë anëtarëve të konferencës vjetore të Komitetit Izraelit-Amerikan të Çështjeve Publike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një paraqitje 10-minutëshe, Rama ka përmbledhur raportin shqiptar-izraelit prej shekujsh, duke theksuar heroizmin e shqiptarëve në Luftën e Dytë Botërore, kur mbrojtën hebrenjtë dhe nuk i dorëzuan tek nazistët.
Rama ka thënë se derisa në shtetet e tjera evropiane pakësohej numri i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri ai rritej.
Rama ka treguar se ky nuk ishte rasti i vetëm i ardhjes së hebrenjve në Shqipëri. “Shqipëria ishte vendi i parë në Evropë që njohu të drejtën e komunitetit hebre që të legalizohej. Historia është e jashtëzakonshme, pasi hebrenjtë u shpëtuan jo vetëm nga familjet myslimane, por edhe nga kleri katolik”, ka deklaruar Rama.
“Është shumë e famshme historia e njërit prej klerikëve më të lartë të krishterë në Shqipëri, që pagëzoi shumë hebrenj që t’i ndryshonte identitetet e tyre dhe t’i shpëtonte nga nazistët. Gjithashtu, është një histori shumë e njohur kur një prej nazistëve më të lartë, Hermann Neubacher, më 1943 thirri katër përfaqësuesit e katër komuniteteve tona fetare dhe u kërkoi ta jepnin listën e hebrenjve dhe listën e floririt që kishin – ata dhanë listën e floririt, por jo listën e hebrenjve”.
Rama u ka kërkuar izraelitëve ta vizitojnë Shqipërinë përsëri, por tani për pushime dhe turizëm.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155617354731523/