Rama: S’jam befasuar nga vendimi i Ivanovit për Ligjin e gjuhës shqipe
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk ndjehet i befasuar nga mosdekretimi i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe ana e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Rama ka theksuar se do ishte surprizuar nëse Ivanovi do ta bënte të kundërtën. Ai ka demantuar akuzat e Ivanovit ndaj Shqipërisë, duke theksuar se Shqipëria posedon agjendë publike për politikë të jashtme.
“Nuk kishte surprizë për mua sepse qëndrimi i presidentit ishte i njohur edhe më parë dhe do të ishte surprizë nëse Presidenti do ta kishte dekretuar ligjin, por kjo nuk do ta pengojë ligjin që të bëhet ligj. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Rama.
Ai ka deklaruar se Shqipëria nuk ka agjenda të fshehta dhe se agjendat janë të hapura.
“Ne nuk kemi agjenda të fshehta. Agjendat tona janë publike dhe kur ka rritje temperaturash me fqinjët, zbatojmë politikë të re të jashtme që ka dinjitet dhe atë pa ndonjë dallim nëse jemi shtet i vogël, ose jo, sepse në tavolinë jemi të barabartë”, ka deklaruar Rama.