Rama: Skandal, Ministria e Jashtme përdor shqiponjë të bardhë në flamurin kombëtar (Foto)
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Luan Rama, e ka denoncuar sërish të dielën përdorimin e shqiponjës me ngjyrë të bardhë, në simbolin kombëtar të përdorur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ashtu siç ka vepruar të enjten në sallën e Kuvendit, Rama e ka ripërsëritur denoncimin e tij, duke e quajtur skandaloz dhe shkelje të rëndë të Kushtetutës, veprimin e kësaj ministre
“Skandal: Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përdor shqiponjë të bardhë në flamurin kombëtar! E kam denoncuar edhe më parë, e denoncova sërish në Kuvendin e Shqipërisë para deputetëve dhe ministrave të qeverisë, por askush nuk reagoi! Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, përdor shqiponjë të bardhë në flamurin kombëtar! Akt skandaloz, veprim i turpshëm dhe fyerje e rëndë ndaj simboleve kombëtare, shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e ligjit!”, ka shkruar Rama në llogarinë e vet në “Facebook”.