Rama: Studentët e pavaksinuar nuk do të hyjnë në fakultete
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka bërë thirrje edhe njëherë qytetarëve, e sidomos të rinjve, që të vaksinohen kundër Covid-19.
Nga Qendra Shëndetësore Nr.1 në Tiranë, kreu i qeverisë ka deklaruar se studentët e pavaksinuar nuk do të lejohen të hyjnë në auditore.
Sipas tij, e njëjta vlen edhe për mësuesit e pedagogët, të cilët duhet të jenë të vaksinuar.
“Studentët që nuk do të vaksinohen nuk do të hyjnë në auditore sepse nuk ka mundësi që pjesa që do të mbrohet të kërcënohet nga ata që jetojnë me teoritë e konspiracionit. Askush nuk i merr dot me forcë, por në mjedise ku janë të tjerët je i detyruar të vaksinohesh. E njëjta gjë vlen për mësuesit, administratën, aty ku janë mjedise publike ke detyrimin të vaksinohesh për të tjerët. Nuk ta ka borxh pjesa tjetër marrëzinë në raport me realitetin. E mira është të vaksinohesh sepse jetën duhet ta mbrosh, por në fund të ditës nuk mund të kërcënosh jetën e të tjerëve. Është fare e qartë”, ka deklaruar Rama, duke shtuar se Shqipëria është më mirë se vendet tjera të rajoni në këtë aspekt.
“Nëse Shqipëria sot ka stabilitet dhe është shumë më mirë se sa kush shumë tjetër rreth e rrotull, kjo vjen si rezultat i vaksinimit. Ne kemi bërë shumë shpejt procesin e vaksinimit, kemi shtrirë shumë shpejt vaksinimin masiv dhe prandaj ne jemi shumë më të mbrojtur sot se nëse ne nuk do të kishim pasur këtë sukses në këtë proces, sot ne do ishim duke numëruar, larg qoftë, dhjetra të vdekur në ditë. Ky është fakt siç po numërojnë të tjerët”, ka deklaruar Rama.