Rama, studentëve të mjekësisë: Ku e gjen në Gjermani kohën për të pirë një kafe?
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një aktiviteti për nisjen e zbatimit të programit të kredive të favorshme për shtëpi për familjet e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit nuk ka kursyer thirrjet ndaj studentëve.
Rama ka bërë thirrje që studentët të mos largohen nga vendi, por të investojnë këtu.
“Mund të jesh guri i rëndë në vendin tënd. Rezultati është minimal, ky program është hapur, do të vazhdojë vite të tëra sepse kreditë që do të merrni do të jenë me afat të gjatë dhe interesi paguhet nga shteti. Kjo është rruga më e mirë dhe më e sigurt, veç të tjerash të jep më shumë qetësi të brendshme, se sa të jetosh në vend të huaj, 99 për qind e atyre t’i as nuk i prek dot, vetëm i shikon, siç i shikon në një vitrinë, sepse çmimet janë të larta”.
“Duhet të gjithë ta shikojnë dhe besojnë këtë. Shqipëria nuk ka gjë veç të shkojë më lart, ka dalë nga rrethi vicioz dhe një hap para dy hapa pas, mjafton të shikoni lekun, shikojeni sot, të tjerat mund të merren me dyshim, lekun nuk e shikojnë lekun. Janë arsye për të pasur shpresë, meqë jemi në prag festash ku i gjen në Gjermani, kohën për të pirë një kafe dhe për të bërë lloj-lloj muhabetesh, shqip. Është pjesë e jetës dhe po të mos ishte një pjesë e ëmbël e jetës nuk do të ishin kafet plot, që të mos flas pastaj për ata që kafen e pëlqejnë turke, ku e gjen, e keni parë kafen në gjermani si është lëng gështenjash. Gjermania është vend i bukur, aq më tepër që do jemi edhe për finalen, por po flas për perspektivën, po flas me shumë besim, sepse e kam të bazuar tek gjërat që punojmë përditë. Viti po mbyllet, viti i ri po vjen dhe nuk keni parë gjë akoma”, ka deklaruar Rama. /TCh