Rama takohet me homologun kanadez, vlerësojnë lartë raportet ndërshtetërore
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar me homologun e tij kanadez, Justin Trudeau. Takimi është zhvilluar në Munih të Gjermanisë, i cili në fokus ka pasur rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe Konferencën e Donatorëve.
Rama është shprehur se Kanadaja ka treguar gatishmërinë për të qenë pjesë e kësaj konference, si dhe për marrëdhëniet dypalëshe.
Ndërsa Trudeau ka thënë se dy vendet kanë punuar shumë mirë bashkë në misionet e NATO-s.
“Kënaqësi e vërtetë të ulem sërish me mikun tim Edi Rama nga Shqipëria. Më jep mundësinë së pari të shpreh edhe njëherë ngushëllimet e mia për tërmetin e tmerrshëm, për të cilin folëm kur u takuam në NATO. Kanadaja është e angazhuar për të marrë pjesë në Konferencën e Rindërtimit, në shkurt. Kemi punuar shumë mirë bashkë në misionet e NATO-s. Shqiptarët po kryejnë shërbimin përkrah Kanadasë në Letoni për misionin ‘Enhanced Forward Presence’ dhe është kënaqësi të vazhdojmë të shkëmbejmë dhe të kemi një bashkëpunim kaq të mirë me ju, ndërsa ecim përpara”, ka thënë kryeministri Trudeau.
Ndërkohë Rama pasi e ka falënderuar, me humor i ka thënë se e vlerëson që u ul nga ana e flamurit shqiptar.
“Jam shumë mirënjohës dhe e vlerësoj shumë takimin me ju në çdo rast. Ju e dini që keni një ndikim shumë të madh tek shumë nga homologët tuaj. Në të njëjtën kohë e dini që jeni edhe Kryeministër i shumë shqiptarëve që jetojnë në Kanada, punojnë shumë dhe kontribuojnë për vendin tuaj, por gjithashtu marrin shumë njohuri dhe të mira nga vendi juaj për familjet e tyre. Do të doja t’ju shpreh edhe mirënjohjen që treguat ndjeshmëri për ato që ndodhën kohët e fundit. Mirënjohës që do të jeni i pranishëm në Konferencë. Duam t’i forcojmë marrëdhëniet. E di që jemi larg, por në një farë mënyre ndihemi shumë të afërt me vendin tuaj dhe të gjithë ju. Prandaj faleminderit për kohën dhe faleminderit që u ulët nga ana e flamurit shqiptar”, ka thënë Rama. /Tvklan.al/