Rama takon Osmanin, flasin për temat që prekin drejtpërdrejt qytetarët e Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka takuar sot presidenten Vjosa Osmani.
Rama ka njoftuar se krahas prezantimit të planit për transformimin e Prishtinës, me Osmanin patën një diskutim tejet përmbajtësor rreth disa temave kyçe të cilat prekin drejtpërdrejt qytetarët e Prishtinës, përfshirë këtu barazinë gjinore dhe fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri, si dhe sigurimin e mirëqenies dhe fuqizimin e grupeve të cënuara e të margjinalizuara.
“Veç kësaj, diskutuam edhe për fuqizimin e sektorit privat dhe për përmirësimin e nivelit të sigurisë së qytetarëve të kryeqytetit”.
“Mirëpres bashkëpunimin e ngushtë në projektet e përbashkëta dhe forcimin e marrëdhënieve ndër-qeverisëse për të siguruar një jetë sa më të mirë dhe gjithëpërfshirëse në kryeqytet”, ka shkruar Rama në llogarinë e vet në “Facebook”.