Rama takon përfaqësuesit e bizneseve: Bizneset janë shtylla e zhvillimit ekonomik të Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka takuar përfaqësues të bizneseve nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, me të cilët ka diskutuar për sfidat dhe mundësitë që ofron kryeqyteti.
Ai ka thënë se bizneset janë shtylla e zhvillimit ekonomik të Prishtinës, dhe përkushtimi i tyre për inovacion e rritje është për t’u lavdëruar.
“Kryeqyteti është dhe do të jetë gjithmonë për bizneset, duke mbështetur zhvillimin e tyre përmes investimeve në infrastrukturë, përmirësimin e shërbimeve dhe lehtësimin e procedurave për sipërmarrësit. Përmes transformimit të Prishtinës në një Smart City, ne po synojmë jo vetëm të krijojmë një qytet më të gjelbër dhe inovativ, por edhe të luftojmë informalitetin, veçanërisht në sektorë si transporti (siç është rasti i taksive). Me teknologji të avancuar dhe sisteme të integruara, do të sigurojmë një mjedis të rregullt dhe të kontrolluar, që i shërben më mirë qytetarëve dhe bizneseve”, ka thënë Rama.