Rama takon stafin ushtarak e civil të Shqipërisë në NATO: Krenar me ju
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me stafin ushtarak dhe atë civil shqiptar në zyrat e NATO-s në Bruksel.
Teksa vlerësoi misionin dhe punën e tyre të palodhur, Rama u ‘premtoi’ se “do të bëjë propozime për t’i ri integruar në trupën e shtetit shqiptar dhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar me paga të ngjashme”.
“Dua të falenderoj vërtetë shumë sinqerisht dhe jo diplomatikisht ambasadorin. Nuk do ma kishte rrokur imagjinata një grup të tillë kaq domethënës dhe në numër, po të kemi parasysh madhësinë e vendit tonë, me vajza, djem, gra dhe burra që këtu në qendrën e NATO-s kontribuojnë qoftë për misionin e Shqipërisë, qoftë dhe për stafin ndërkombëtar të NATO-s, si pjesë të tij.
Kjo padyshim është një arsye krenarie, është një arsye frymëzimi dhe patjetër është edhe një arsye besimi tek kombi ynë, tek shoqëria jonë, tek kapacitetet e vendit tonë përmes një gjenerate që sot është jo vetëm protagoniste në Shqipëri ku ka shkëlqyer realisht në të gjithë procesin jashtëzakonisht kompleks për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, por edhe jashtë Shqipërisë ku një sërë prej jush këtu, shkëlqeni pa dyshim si pjesë e stafit ndërkombëtar të NATO-s, ku jeni zgjedhur pa asnjë kushëri, s’besoj se keni gjetur ndonjë kushëri në Finlandë apo në Holandë; pa asnjë parti, se këtu e vetmja parti që i bashkon që të gjithë këto kombe, këto shtete, këto shoqëri, është partia e vlerave të demokracisë, të lirisë dhe të një sigurie që garanton këto vlera. Patjetër që më vjen jashtëzakonisht mirë që në këtë panoramë shoh ushtarakët tanë që siç do të thuhej një herë e një kohë këtu, do të dukeshin si të jashtëm dhe për hir të së vërtetës, ku të shikuarit nga brenda të realitetit të kësaj trupe njerëzish që janë në aktivitet të përditshëm qoftë në marrëdhëniet me BE, qoftë në marrëdhëniet me NATO-n, është një privilegj sepse shikon jo vetëm potencial, por edhe shfrytëzimin real në jetën e përditshme të një potenciali që me vjen mirë që përgjithësisht, tani nuk po i shoh dot në detaj që të gjithë në çdo tipar të portretit, por që nga radha e parë deri tek vajzat në fund, dukeni mirë, dukeni si të jashtëm. Edhe energjia është shumë pozitive e gjithë sallës.
Jam po ashtu dëshmitar që në takimet me kolegë, homologë të vendeve të BE dhe NATO-s gjithmonë e më shpesh dëgjoj fjalë realisht të bukura për ju, për njerëzit që na përfaqësojnë në nivelet e dyta dhe të treta të shtetit shqiptar dhe që përballen me volumin e jashtëzakonshëm të punës së përditshme të këtyre institucioneve ndërkombëtare dhe mund t’i kisha marrë këto fjalë, si fjalë të bukura dhe komplimente të rrethanave të takimeve, por jam shumë i vetëdijshëm që janë fjalë që burojnë nga një përmirësim i vazhdueshëm, bindës dhe mbresëlënës i të gjithë qasjes sonë në raport me ta, por edhe i qasjes së tyre në raport me ne dhe qasja e tyre në raport me ne, patjetër që ka ndryshuar ndjeshëm si rezultat i shumë gjërave që shihen nga larg, por jam i bindur që ka ndryshuar edhe si rezultat i gjithë këtij volumi kontaktesh të drejtpërdrejta me ju dhe me të gjithë ata si ju që në instanca të tjera, përfaqësojnë Shqipërinë, ulen në tryeza diskutimesh dhe mbrojnë argumentet që na bëjnë ne të ecim më përpara.
Tani sigurisht që ambicia ime dhe ambicia jonë nuk mund të mos jetë që pjesën që na e kanë marrë të huajt, t’ua rimarrim. E di që kjo kërkon akoma më shumë punë, kërkon akoma ca kohë, sepse të huajt kanë një gjë që ne nuk e kemi akoma, që mund t’iu trajtojnë po kaq mirë sa ç’po ju trajtoj unë sot, por ndryshe nga unë që pasi t’ju uroj gëzuar Vitin e Ri do të largohem, ata kur largohen ju paguajnë shumë më mirë sa ç’mund t’ju paguajmë ne, kështu që këtë hendek ne jemi duke e zvogëluar, por është ende një hendek.
Megjithatë, të gjithë ata që janë këtu dhe që punojnë për të huajt, nuk duhet të çuditen në qoftë se më herët sa vonë ne do t’ju bëjmë propozime për t’ju ri integruar në trupën e shtetit shqiptar dhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar me paga të ngjashme. Po deri atëherë qëndroni fort, mbani vendin e punës që e keni fituar me konkurse dhe me sprova dhe teste që pa diskutim janë shumë rigoroze. Jini krenar që kushedi se sa italianë, gjermanë, anglezë pa llogaritur edhe ata të tjerët që kemi rreth e rrotull, i keni lënë pa punë, se ju keni zënë vendit. Natyrisht, ata mund të kenë gjetur një punë tjetër ndërkohë, por nuk kanë marrë punën që kanë dashur të marrin dhe ia morët ju.
Misionit këtu në NATO, i them që sa herë hyni dhe dilni në zyrat ku unë sapo hyra, mos e harroni që keni privilegjin të jeni jo thjesht në këtë qendër globale të sigurisë, por edhe të punoni për ditë në ambasadën më të madhe që ka Republika e Shqipërisë jashtë për nga pikëpamje e hapësirës, madje, madje, meqë jemi këtu mes nesh, ta themi deri në fund, më erdhi mirë në mënyrë paksa si shumë shqiptare kur pashë finlandezët edhe suedezët që ishin futur në një si, ishin futur në një si cep këtu në kat të parë, midis farmacisë dhe dyqanit të fruta perimeve, siç do të kishim qenë ne në rast se do ta rendisnim vendndodhjen në godinë në bazë të disa kritereve të tjera, por, suedezët dhe finlandezët aty në cep në kat të parë, ne në kat të fundit edhe gjenerali zyrën me pamje nga deti, këto mund të jenë gjëra të dorës së dytë, por në fakt bëhen gjëra të dorës së parë kur mungojnë, kështu që mos e harroni këtë gjë. Edhe uroj shumë që këtë fundviti ta keni sa më të qetë, sa më të gëzuar, por që të jem shumë i sinqertë me ju, nuk ua kam zili fare këtë qiellin pa diell.
Faleminderit shumë, vërtetë shumë faleminderit edhe për pritjen. Natyrisht një njeri mund të thotë që ju e kishit për detyrë, por në fakt për detyrë, mbase e kishte vetëm misioni këtu, ndërsa ju të tjerët që erdhët nga të katër anët e godinës për të qenë këtu bashkë me ne, nuk e kishit për detyrë dhe u jam shumë mirënjohës që erdhët këtu. Unë e di që përveçse të qenit kryeministër, kam edhe forcën magnetike të ariut Silva, këta të rinj nuk e njohin, po disa nga gjeneralët e njohin. Ariu Silva ka qenë një figurë shumë e njohur në Tiranë në vitet e fëmijërisë time, që herë pas here e nxirrte zbutësi i vetë atëherë ne nuk bënim dot selfie me Ariun, as kishim celular që të merrnim fotografi, por pak a shumë efekti i ariut për mua është shumë i qartë, kështu që e di që edhe për shkak të shtatlartësisë e kam një farë efekti të ariut Silva kështu që edhe për këtë, ju falënderoj shumë që erdhët dhe e patë ariun nga afër.
Ju uroj çdo të mirë që ju do zemra! Ju uroj shumë shëndet në familjet tuaja! Mos e merrni për të mirëqenë, shëndetit ia di ai që nuk e ka, por për sa kohë e keni, ta keni përgjithmonë për të gjithë të afërmit tuaj, edhe mirë se të vini, kur t’ju dëshiroj zemra në atdhe. Po mos harroni që këtu nuk vihet me vonesë në punë, kështu që atdheu jonë e ka këtë që të mban vonë natën dhe nuk të lë të zgjohesh herët në mëngjes. Ndërkohë që këtu është e kundërta, këtu të çon vendi me fjet herët dhe të del gjumi, edhe thua: Po si qenka akoma natë, në fakt është mëngjes, se sot kur erdhën më morën për të më çuar tek hapja kapitujve të tjerë ishte natë komplet, por në fakt ishte mëngjes. Edhe pastaj i thashë, çfarë faj kanë këta që na binë në qafë ne kaq shumë kur këta i bie të na takojnë në pikë të sabahut dhe s’ka dalë akoma dielli dhe shohin shqiptarët edhe thonë, po ik. Por në fakt janë bërë të mirë me ne, janë bërë shumë të mirë me ne, se i kemi zbutur, domethënë kemi marrë edhe ne ca nga ato talentet e Tahir Baçovës.
Shumë faleminderit të gjithëve dhe po e mbyll, se mund të vazhdoja akoma më gjatë, siç edhe po e vini re që premtova disa herë ta mbyll dhe vazhdova disa herë, por kjo vjen jo për fajin tim, por për përgjegjësinë që duhet të mbani për fytyrat që i keni shumë të pastra dhe shumë të qeshura, edhe kështu që unë nuk po iki dot. Më lini tani të largohem, se na pret komandanti i NATO-s, shoku Mark”-u shpreh Rama.