Rama tha se KFOR-i duhet ta marrë nën kontroll veriun, Mihali: Heshtja e tij do të ishte ndihma më e madhe
Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, i ka reaguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se KFOR-i duhet ta marrë nën kontroll veriun e vendit.
Mihali ka thënë se heshtja e Ramës për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe, në këto momente dhënë Kosovës.
Ajo po ashtu, ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar që KFOR-i të marrë kontrollin në veri, e as nuk do ta bëjë.
“Mbase heshtja e Kryeministrit të Shqipërisë për disa ditë do të ishte ndihma më e madhe, në këto momente, dhënë Kosovës. Po ashtu, Kosova asnjëherë nuk ka kërkuar që KFOR të marrë kontrollin në veri. E as nuk do ta bëjë. Këtë e di dhe çdo fëmijë i vogël. Këtë e kërkon vetëm Serbia. Qeveria e Kosovës ka kërkuar vitin e fundit kryesisht shtimin e trupave të NATO-s në Kosovë referuar kërcënimit dhe akteve të vazhdueshme të agresionit nga ushtria e Serbisë në kufi me Kosovën”, ka shkruar Mihali në “Facebook”.
Ndryshe, Rama ka thënë në konferencën e sotme për mediat se KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës, propozim të cilin tha se e ka bërë më parë në samitin e NATO-s.
Ai ka vënë në dukje se e ka paralajmëruar përshkallëzimin e ngjarjeve dhe theksoi se nuk duhet pritur më për të vepruar.
“Jo se jam më i mençur se të tjerët, por sepse nuk jam aq i zënë me hallet e gjithë botës siç janë të mëdhenjtë e kësaj bote, në këtë sekondë sikur i shoh në faqet e mia të rrjeteve sociale plumbat e trimave, jam mësuar me trimat e klubeve mediatike të Tiranës, edhe me ata në Kosovë, që më tregojnë me gisht si vëllaun e Vuqiqit. Duhet të shpëtohet nga e shkuara që e persekuton këtë rajon prej shekujsh. Detyra ime është të shoh më larg se sa një hap. KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës”, ka thënë Rama.