Rama: Thaçi, Veseli e Haradinaj janë vendosur në anën e drejtë të historisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për aktakuzat e Gjykatës Speciale kundër presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli.
Në Kuvendin e Shqipërisë, Rama ka thënë se në 21 vite, udhëheqësit e Kosovës janë akuzuar si individë me dy koka.
“Udhëheqësit e Kosovës janë thuajse të tërë, të akuzuar në 21 vite si individë me dy koka që nga një anë kanë udhëhequr luftën çlirimtare apo procesin e shtetndërtimit në Kosovë dhe nga ana tjetër kanë ngrënë njerëz, fëmijë, romë si kanibalë. Përballë historisë as Hashim Thaçi, as Kadri Veseli, as Ramush Haradinaj dhe asnjë prej krejt të akuzuarve në 21 vite si dhe vete UÇK=ja në tërësi nuk ka nevojë për mbrojtje publike, sepse përtej kësaj tërkuze të një gjyqësie eksperimentale ndërkombëtare ata janë vendosur në anën e drejtë të historisë dhe e kanë bërë historinë vetë, duke i dhënë asaj pandryshueshmërinë e mundshme si histori e çlirimit të asaj pjesë të pandashme të kombit shqiptar që quhet Kosovë. Dhe na duhet të bëjmë një hulumtim të shpejtë në kujtesë për ta sjellë tani në vëmendje që është falë tyre që u trondit ndërgjegjja e perëndimit të fjetur demokratik në raport me Kosovën”, ka thënë ai.
Madje, sipas Ramës, një aktakuzë e tillë, është “fletërrufe e një revolucioni kinez” ndaj dy figurave historike të paqes në Kosovë.
“Të gjithë mbetën të befasuar nga aktakuza. Drejtësia është drejtësi dhe nuk është drejtësia në vetvete dhe as kërkimi i saj nga një strukturë e miratuar me vullnetin e vetë Kosovës që ngre pikëpyetje të mëdha, por është lexim I tekstit të shpërndarë në mbarë botën për të lajmëruar një proces gjyqësor ndaj dy figurave historike të paqes në Kosovë. I ngjan një fletërrufeje të revolucionit kinez”, është shprehur Rama në Kuvend.