Rama thërret Metën dhe Bashën në një tryezë të përbashkët

09 maj 2020 | 14:00

Në Ditën e Evropës, në një takim me ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje presidentit Ilir thirrje Metës dhe liderit të opozitës, Lulzim Bashës, për të zhvilluar një tryezë të gjerë, ku do të shprehej vullneti i përbashkët për integrimin dhe secili të plotësojë detyrat e tij.

“Tanimë që negociatat janë hapur dhe kërkohet përgatitja serioze për konferencën ndërqeveritare me BE-në, plani i punës është detajuar dhe duhet të konsultohet hap pas hapi. Qeveria mban peshën kryesore, por këtu duhet të gjithë aktorët. Ne jemi shumë të angazhuar dhe të interesuar, për t’u ulur në një tryezë të gjerë me Presidentin e Republikës, me kryetarin e opozitës, me të gjithë aktorët e tjerë, përfaqësues të institucioneve të pavarura, në radhë të parë të institucioneve të drejtësisë, në një tryezë ku të shprehim vullnetin e përbashkët. Natyrisht, gjithsecili për të bërë detyrat e tij, por ama për të dhënë mesazh të fortë uniteti kombëtar në këtë proces, ku deri më sot nuk po na rezulton se dikush ka një mendje tjetër”, ka thënë Rama.

Më tutje, Rama ka bërë me dije se kryenegociatori i Shqipërisë për negociatat për anëtarësim në BE do të jetë ambasadori Zef Mazi.

“Ne kemi ngritur edhe grupin negociator, i cili do të udhëhiqet nga një personalitet pa të sharë, në momente të caktuara ka kritikuar edhe qeverinë tonë. Ai është ambasadori Zef Mazi do të jetë kryenegociatori, me një grup të zgjedhur do të jetë regjia e betejës për negociatat. Më vjen shumë mirë që me këtë skuadër, që me këtë ndërveprim intensive të BE, me miqtë tanë ndërkombëtarë, përfshirë edhe ShBA-të dhe ambasadoren, shpresoj edhe me institucionet e tjera, me Presidentin, opozitën brenda dhe jashtë Parlamentit, të japim të gjithë një kontribut. Barra jonë është më e madhja dhe ne jemi të gatshëm ta mbajmë”, ka thënë Rama./A2/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
 Platforma satelitore Albsat sjell ofertën 1 vjeqare për vetëm 49.90…