Rama thirrje ndërkombëtarëve nga Kroacia: BE-ja dhe NATO-ja ta dënojnë Serbinë!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve nga Kroacia që të marrin masa ndëshkuese ndaj Serbisë për aktin barbar në veri të Kosovës.
Në fund të konferencës së përbashkët që mbajti me homologun kroat, Rama tha se i takon BE-së dhe NATO-s që të dënojnë aktin dhe të shmanget përsëritja e ngjarjes.
“Samiti i Berlinit do të ketë një temë diskutimi edhe për Ballkanin, duke nisur edhe nga situata e vështirë në veri të Kosovës. Por i takon BE-së dhe NATO-s, që të dënojë aktin, në mënyrë që të ndalohet dhe të shmanget përsëritja apo larg qoftë të jetë më keq se kaq. Na duhet një qëndrim i unifikuar lidhur me atë që ndodhi, kjo jo vetëm në fjalë por edhe me fakte. Evropa e bashkuar, kryeministri i Kroacisë është një ndër njohësit më të thellë të labirinteve të kështjellës së Harry Poter-it evropian. Këtu bëhet fjalë për masa simetrike, minimumi që duhet të bëhet, jo vetëm nga Kosova por edhe në Serbi. Masat të merren edhe për Serbinë. Ka programe ka marrëdhënie për t’i thënë stop dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pranohet që në mes të Evropës dhe një rajoni, një grup kriminal i armatosur gjer në dhëmbë ushtarakisht me uniforma ilegale t’i marrë jetën një polici e t’i gëzohet nderit më të lartë, zisë kombëtare”, ka thënë Rama, raporton TCh.