Rama tregon arsyen pse kërkon mandatin e tretë

16 shkurt 2021 | 20:42

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë arsyet pse PS-ja duhet të fitojë mandatin e tretë në zgjedhjet e 25 prillit, duke theksuar se i ka borxh të madh familjes së tij e sidomos djalit të vogël Zahos, sepse nuk ka qëndruar aq kohë sa duhet me të.

Rama shprehet se betejat për vendin nuk mund të lihen në mes, sepse sipas tij asnjë tjetër përveç Partisë Socialiste nuk ka as çerekun e fuqisë së ambicies për të drejtuar vendin.

Kryeministri përmend se duhet të përfundohet rimëkëmbja, të kryhet vaksinimi i të gjithë qytetarëve, të futen të gjithë nëpër shtëpitë e tyre, të përmbyllet reformimi i shëndetësisë, të pastrohet imazhi i bluzave të bardha nga abuzuesit, të forcohet progresiviteti i taksimit në favor të atyre që fitojnë më pak, rritur më tej paga minimale dhe pagat në tërësi apo zhvillimi i infrastrukturës.

Postimi i plotë i Ramës në “Facebook”:

Mandatin e Tretë s’do ta kërkoja, po do të kthehesha më në fund në shtëpi për të shlyer borxhet e mëdha që i kam familjes (sidomos më të voglit nga ne të pestë), nëse nuk do të kishte ende plot gjyshër, prindër e fëmijë që duhen futur të gjithë, deri në fund, në shtëpi e në lagje të reja; nëse nuk do të duhej fituar lufta me Covidin dhe kryer vaksinimi i plotë i njerëzve të këtij vendi, duke kapërcyer një mal me vështirësi; nëse nuk do të duhej përmbyllur reformimi i shëndetësisë, ku pasi është rimëkëmbur gjerësisht infrastruktura e spitaleve dhe riorganizuar sistemi shëndetësor, duhet përfunduar kjo rimëkëmbje si edhe duhet pastruar organizmi i trupës së bluzave të bardha nga abuzuesit e nga batakçinjtë, që njollosin keq punën e mijëra heronjve; nëse nuk do të duhej forcuar progresiviteti i taksimit në favor të atyre që fitojnë më pak, rritur më tej paga minimale dhe pagat në tërësi, tanimë që bazat e ekonomisë janë forcuar pas daljes nga gropa e para 7 viteve; nëse nuk do të duhej zhvilluar më në fund konkretisht infrastruktura portuale e aeroportuale, e cila nuk është më një ëndërr po një betejë e nisur konkretisht…

Janë këto e plot beteja të tjera që nuk mund të lihen në mes, sepse asnjë tjetër sot për sot, përveç meje e Partisë Socialiste nuk ka as çerekun e fuqisë së ambicies, vullnetit, dijes dhe eksperiencës që ne kemi fituar në drejtimin e vendit!

Dhe të mos e harrojë askush, që të nesërmen e tërmetit edhe më optimistët thoshin se Rindërtimi kushedi kur do të bëhet, po u bë ndonjëherë… Po ja, siç po dalim përditë më të fortë nga tragjedia e tërmetit, duke hapur ditë pas dite dyer të reja për gjyshër, prindër e fëmijë, që kthehen të lumtur në shtëpi më të mira se ato që humbën, ashtu do të dalim edhe nga kjo pandemi e mallkuar, duke e kryer vaksinimin shumë më shpejt se sa duket në këtë moment dhe po ashtu, betejat që do t’i fitojmë me patjetër gjatë Mandatit të Tretë do ta çojnë në një nivel tjetër Shqipërinë??

#SkaKohëPërPushim

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë…