Rama tregon pse nuk erdhi në Kosovë siç kishte premtuar vitin e kaluar
“Shumë shpejt do jem në Kosovë”. Kështu ishte shprehur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në nëntor të vitit të kaluar, mirëpo kjo vizitë nuk ka ndodhur ende.
Për këtë arsye, kreu i qeverisë ka thënë se kjo nuk ka ardhur për shkak të ndonjë problemi më Prishtinën zyrtare, por ka theksuar se ishte në pritje të disa zhvillimeve, që sipas tij tashmë kanë ndodhur.
Se cilat janë këto zhvillime, ai nuk i ka detajuar, por ka thënë se kjo vizitë do të ndodhë.
Ndërkohë, sa i përket marrëdhënies me Albin Kurtin, ai ka thënë se pret që ta takojë në takimin rajon që është planifikuar të zhvillohet brenda pak ditësh në Shkup.
“Për pak ditë do jem në Shkup për një takim rajonal dhe shpresoj që do jetë kryeministri i Kosovës dhe besoj që do takohemi, nuk e kam realizuar vizitën atje aq shpejt sa unë mendoja në atë moment, por jo për shkaqe që lidhen me ndonjë problem në Prishtinë, por sepse kam pritur disa zhvillime që edhe kanë filluar të ndodhin dhe pastaj do shkoj patjetër”, ka thënë Rama në fjalën e tij në mbyllje të takimit dyditor në Lezhë.