Rama: Tri kompanitë më të mëdha të basteve në Evropë do të operojnë në Shqipëri
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur kryetarin e KOKSh-it, atë të FShF-së, federatave të tjera sportive për problematikën e basteve në të zezë dhe propozimin për formalizimin e tyre.
Në fjalën hapëse, Rama theksoi se bastet kanë qenë një e keqe e madhe, ndaj edhe u mbyllën më 1 janar 2019. Tanimë propozimi për formalizimin dhe rihapjen ka marrë masa konkrete, me Ramën që cek se nga bastet vijnë të ardhura të mëdha. Kreu i ekzekutivit ka thënë se po konsiderohen bastet online, duke sjell në vend tre kompanitë e basteve më të mëdha në Evropë, që kanë licencë.
“Nuk do të kthehemi në asnjë mënyrë te sallonet e basteve, lojërat apo te makinetat. Konsiderata është te bastet online. Paçka dënimeve dhe arrestimeve, ky fenomen nuk ka rënë. Ky reflektim i sotëm është i domosdoshëm. Ka shumë diskutime mbi bastet online. Salla parazitësh ku mblidhen njerëzit dhe hedhin në erë kursimet, nuk do të ketë. Nga konsultimet që kemi bërë, veç rrjeteve informale të aktivitetit në të zezë që janë online, është edhe fenomeni i futjes së kompanive ndërkombëtare në Shqipëri, ose i futjes së rezidentëve shqiptarë në faqet e tyre. Licencimi i tre prej tyre e bën më të pamundur edhe pjesën e zezë, pasi futet në lëvizje mekanizmi i mbrojtjes së konkurrencës në Evropë. Sepse nuk mund t’i futesh tjetrit aty ku ai ka licencë. Xhungla digjitale është e tillë që është e pamundur të vendosësh sinjalistikë, nuk i pengon dot majmunët e paligjshëm që futen në këtë xhungël”, ka thënë Rama.