Rama u garanton naftëtarëve një vit paga prej 40 mijë lekësh

13 nëntor 2020 | 19:59

Qeveria e Shqipërisë u ka garantuar për një vit paga prej 40 mijë lekësh 870 naftëtarëve, të cilët protestuan dy muajt e fundit me grevë urie për dhjetëra muaj rroga të pashlyera dhe mbylljen e rafinerisë.

Kjo ka qenë marrëveshja e dakordësuar me naftëtarët dhe kryeministrin Edi Rama pasditen e së premtes dhe u bë me dije nga drejtuesi i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, Sokol Dautaj.

Duke folur pas takimit, Dautaj u shpreh i kënaqur me arritjen me qeverinë, por tha se naftëtarët duan që pagesat të fillojnë sa më shpejt pasi kanë situatë të rënduar ekonomike.

“Ne kërkojmë që të merren katër pagat e para dy e nga dy brenda këtij muaji të merren dy paga dhe muajin e ardhshëm dy pagat e tjera. U hodh ideja që të sillen kompani të ndryshme, por ne jemi skeptik. Rreth 870 naftëtarë të cilët kanë qenë në borderotë e vitit 2019 të jenë në listpagesën e premtuar,” – u shpreh drejtuesi i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, Sokol Dautaj.

“Kënaqësi që, çka ne kemi dhënë si mbështetje për 870 naftëtarë dhe punonjës të rafinerisë është pritur me shumë pozitivitet nga ana e tyre, natyrisht që në këtë kohë kaq të vështirë kur duhet të kalkulojmë çdo ditë çdo gjë për shkak të COVID-it, nuk është e lehtë, por jemi të bindur që kemi bërë gjënë e duhur, duke vendosur një pagë prej 55 mijë lekësh bruto, pra 40 mijë lekësh neto për 12 muaj në mënyrë që këta njerëz të kenë sigurime shëndetësore e shoqërore dhe garancinë për situatën e vështirë të krijuar,” – konfirmoi në daljen e tij për shtyp kryeministri Edi Rama.

Kryeministri tha se me këtë marrëveshje u lehtësohet ndjeshëm situata familjeve të naftëtarëve, ndërsa zbuloi se qeveria është në kontakte me tre kompani të mëdha dhe “të rëndësishme” për marrjen në administrim të rafinerisë.

Në fjalën e tij Rama u zotua se rafineria do të rindizet, por u justifikua me faktin se pandemia e ka bërë të vështirë situatën e investimeve.

Naftëtarët e Ballshit zhvilluan rreth orës 17:00 të ditës së sotme takimin e dytë me kryeministrin për të finalizuar një zgjidhje të mundshme të situatës së tyre me rreth 20 paga të pashlyera dhe rafinerisë që nuk punon.

Takimi u zhvillua në mjediset e Bashkisë së Fierit, një javë pasi naftëtarët pranuan propozimin e kryeministrit për të pezulluar grevën e urisë dhe për t’u ulur në diskutime me të.

Në takimin e parë naftëtarët patën pranuar që ta ndalnin grevën në këmbim të angazhimit të qeverisë për t’u dhënë një ndihmë financiare, ndihmë kjo që u tha se do të ishte diçka më pak se rroga e tyre, por më shumë se sa asistenca e zakonshme që jepet për papunësinë.

Ditën e sotme nga ministria e Financave u bë me dije se ishte rishikuar buxheti i vitit të ardhshëm me një fond të parashikuar për naftëtarët prej 560 milionë lekësh, ose thënë ndryshe rreth 4.5 milionë euro./ TCh

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mohamed Salah është infektuar me koronavirus. Sulmuesi ka rezultuar pozitiv…