Rama ulet në bankë si një ‘nxënës i rritur’ dhe dëgjon rrëfim Aida Dërgutit për UÇK-në
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë me dije se në shkollat e kryeqytetit ora e parë do të dedikohet “Epopesë së UÇK”-së.
Rama ka publikuar fotografi ku edhe ai ishte prezent gjatë kësaj ore.
Rama bashkë me nxënësit e tjerë, ka dëgjuar rrëfimin e ish-ushtarë së UÇK-së, Aida Dërguti.
“Kënaqësi të rikthehem në shkollën time ‘Hasan Prishtina’, sot sërish si një nxënës i rritur për të dëgjuar rrëfime nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Postimi i plotë i Ramës:
Për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjitha shkollat në #kryeqytet orën e parë të mësimit e kanë dedikuar për të ndarë copëza tregimesh nga historia moderne e Republikës së Kosovës.
Kënaqësi të rikthehem në shkollën time “Hasan Prishtina”, sot sërish si një nxënës i rritur për të dëgjuar rrëfime nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Bashkë me Besianë Musmurati, Drejtoreshën e Arsimit në Prishtinë, patëm kënaqësinë të dëgjojmë një rrëfim inspirues nga Aida Dërguti, dikur ushtare e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, e sot një grua që vazhdon të na frymëzojë si shembull i guximit të një gruaje luftëtare.