![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/07/kf-drenica.jpg)
Rama: Uroj që kjo situatë mos t’i përsëritet më Drenicës
Skuadra e Drenicës e siguroi mbetjen në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Trajneri i skuadrës kuqezi nga Skenderaj, Fadil Rama, ndihet shumë i lumtur për suksesin e arritur me këtë klub, derisa uron që kjo situatë të mos i përsëritet më Drenicës.
“Edhe me tej në Superligë. Synimet u arritën dhe të gjithë ndihemi të lumtur. Do të garojmë prapë në Superligë. Uroj të gjithë lojtarët për kontributin e dhënë, angazhimin maksimal, disiplinën dhe seriozitetin në punë, karakterin dhe vendosmërinë e tyre të pastër deri tek arritja e qëllimeve tona. Po ashtu, uroj stafin tim që së bashku punuam me vullnet të madh. Falënderoj mjekët tanë që gjithherë ishin afër nesh”, ka thënë Rama.
“Uroj edhe kryesinë e klubit, në krye me presidenten Mihane Kodra-Bekteshi, e cila na qëndroi pranë e që nuk u ndal asnjëherë, vetëm që ne të kemi mundësi të punojmë për realizimin e qëllimeve tona. Një falënderim shkon edhe për drejtorin sportiv, sekretarin e klubit dhe ‘Shqiponjat e Zeza’ për përkrahjen e madhe të tyre si çdoherë. Shpresoj të mos gjendemi në situata të tilla në të ardhmen, të organizohemi më mirë dhe më kohë”, ka shtuar Rama.
(Veton ZYMBERI)