Rama uron ShBA-në: Zoti të bekoftë!
Kryeministri Edi Rama ka uruar ShBA-në me rastin e 247-vjetorit të pavarësisë me disa fotografi të shkrepura ditën e djeshme gjatë ceremonisë së pritjes së ish-presidentit amerikan Bill Clinton në Tiranë. “Gëzuar 4 Korrikun Amerikë. Zoti të bekoftë!”, ka shkruar kreu i qeverisë krahas fotografive në Facebook.
Clintoni mbërriti mesditën e djeshme në Aeroportin “Nënë Tereza”, ndërsa u prit nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni zyrtare në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.
Rama e nderoi ish-presidentin amerikan me “Yllin e Mirënjohjes Publike”, duke theksuar rolin që ai pati për çlirimin e Kosovës.
Clintoni fitoi zemrat e shqiptarëve në vitin 1999, kur bindi NATO-n të bombardonte Serbinë e të çlironte Kosovën. Ai vendim ndryshoi kursin e gjithë rajonit, por sidomos jetën e miliona shqiptarëve në Kosovë.