Rama: Variantet e reja të Covidit mund të kenë ardhur, zbatoni masat sa nuk është vonë
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në një konferencë me gazetarët ka bërë me dije se ka sinjale që në Shqipëri mund të kenë ardhur variantet e reja të Covid-19.
Rama ka sqaruar se situata me Covid-19 në vend është përkeqësuar.
“Kemi sinjale të arsyeshme për hyrjen në Shqipëri të varianteve të reja të virusit Covid-19. Kur po rritet infektimi tek moshat më të reja dhe po ulet mesatarja e moshës së të shtruarve në spital. Do të bëjmë gjithçka që të mos kthehemi tek masat e forta kufizuese”, ka thënë Rama.
Ai ka sqaruar se masat e tanishme janë shumë funksionale, por që të kenë efekt ato duhet të zbatohen nga të gjithë.
Rama ka thënë se nuk duhet të tolerohet askush që shkel ligjin, duke bërë një kritikë dhe deputetëve të PS-së që kanë nisur takimet për fushatën elektorale.
“Natyrisht që masat që janë në fuqi, janë masa të cilat në këndvështrimin e ekspertëve teknik funksionojnë,por që të funksiononte siç duhet të zbatuar siç duhet. Nga ana tjetër qasja e autoriteteve të shëndetësisë dhe autoriteteve të tjera të zbatimit të masave, ka qenë një qasje sensibilizuese dhe këshilluese. Por nga çfarë konstatohet në terren, në javët e fundit vihet re një rënie e angazhimit të qytetarëve, duke nisur nga vendosja e maskës kudo jashtë shtëpisë, duke vazhduar me zbatimin e rregullave të vendosura për njësitë tregtarë dhe me ato eksese të pateoluershme në lokale të caktuara. Por dhe nga politikanët, por këtu nuk kam parasysh politikanët që i përkasin partive të tjera, por dhe ata që bëjnë pjesë në partinë që unë drejtoj, që mblidhen ne salla e në dhoma në numër mbi atë që është përcaktuar nga komiteti teknik”, ka deklaruar Rama.
Më tutje, Rama ka thënë se ka ende kohë që situata të kthehet në normalitet, por për të bërë këtë gjë do duhet që të gjithë të zbatojnë masat.
“Nëse nuk reagojmë tani, nëse secili nuk bën tani detyrën, situata rrezikon seriozisht të përkeqësohet dhe numri i infektimeve të rritet, por jemi ende në kushte që mund të shmanget kjo situatë. Jeni të gjithë në dijeni që masat propozohen nga komiteti Teknik dhe nga askush tjetër. Ne nga ana e qeverisë dhe ju si media kemi mundësinë të bëjmë më shumë, që zbatimi i masave të jetë sa më korrekt”, është shprehur Rama.