Rama vendos gurthemelin e një shkolle tjetër në kryeqytet
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vendosur gurthemelin e një shkolle tjetër.
“Pas nisjes së shkollës së re në lagjen Mati 1 dy javë më parë, tani është radha për shkollën e re në lagjen Sofalia. Kjo lagje nuk ka pasur një shkollë fillore të mesme të ulët, por tani pritjes i erdhi fundi”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se me ndërtimin e kësaj shkolle fëmijët nuk do të kenë nevojë të ndjekin mësimin në lagje tjera por do ta kenë shkollën e re shumë afër.
“Prindërit do të kenë lehtësime sepse nuk do të vozisin fëmijët e tyre në distanca të largëta për shkollim”, është shprehur Rama, duke shtuar se do të ketë shkollim cilësor, kushte moderne për nxënësit e prindërit, mësim tërëditor, më pak ngarkesë për prindërit dhe përmirësim i komunikacionit.