Rama: Zjarrvënësit meritojnë të kalben në burg
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka vlerësuar këtë të premte të gjithë personat që u angazhuan në shuarjen e flakëve gjatë muajit gusht në Shqipëri.
Ai ka falënderuar Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, Emergjencat Civile, dhe autoritetet lokale.
Rama ka deklaruar se personat që ndezin zjarre dhe shkatërrojnë “mushkëritë” meritojnë të dënohen me burg.
“Nuk mund të rri pa theksuar aspektin kriminal të gjithë këtyre vatrave të zjarrit të cilat në një pjesë të madhe janë rezultat i rritjes dramatike të temperaturave, kudo në botë. Por, në një pjesë të konsiderueshme janë rezultat i barbarisë së atyre që me një shkrepëse, me një shishe benzinë vrasin shpirtin e atdheut, plagosin trupin e atdheut dhe hedhin në erë, mundimet, djersën, përkushtimin e shumë e shumë gjeneratave duke privuar nga qoftë edhe një qelizë e mushkërive të gjelbërta të këtij vendi, fëmijët e këtij vendi. Më vjen mirë që Policia ka pasur një aktivitet jo vetëm intensiv, por edhe rezultativ. Ka arritur të çojë prapa hekurave një numër jo të vogël barbarësh, të cilët nuk meritojnë të jenë të lirë mes komuniteteve dhe qytetarëve të këtij vendi. Meritojnë të kalben prapa hekurave”, ka thënë Rama.