Rama zotohet për uljen në 50 % të tarifave të studimit
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka mbajtur një takim me disa nga studentët e Universitetit të Bujqësisë në Tiranë ku diskutoi me ta temat që ata i shqetësojnë dhe u zotua për ulje tarifash prej 50 për qind duke filluar nga janari i vitit 2019.
Kryeministri Rama gjatë këtij takimi me studentë e ripërsëriti se dialogu është kyç për zgjidhjen e problemeve dhe pikave të kërkuara nga studentët.
Rama ka thënë se vendimet të cilat mund të merren direkt nga Qeveria, do të merren. Ai ka thënë se në afatin e ardhshëm të pagesës së tarifës studentët do të paguajnë 50 për qind më pak.
“Në janar nuk do i paguani, ja po ta them sot. Në janar ju do të paguani 50% më pak të tarifës të gjithë. Në qoftë se do vinë në janar të kërkojnë dhe ju do ta verifikoni përpara sepse mund të ja u kërkojë ndonjëri që të ju hedhi prapë atje, të ju sjelli te kryeministria – ju do të refuzoni të paguani në janar tarifën më shumë se 50% të asaj që duhet të paguani”, ka thënë Rama.
Studentët pjesëmarrës i kanë thënë kryeministrit Rama se kanë nevojë për kthim të besimit të humbur nga ana e Qeverisë.
“Mesazhi është marrë dhe Qeveria po punon për këtë”, është përgjigjur kryeministri Rama.
Protesta e studentëve të universiteteve publike të Shqipërisë ka vazhduar edhe të martën duke shënuar dy javë të plota të revoltës së tyre të pandërprerë kundër tarifave të larta të studimit, kërkesës për përmirësim në arsim dhe përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së tyre në borde drejtuese të universiteteve.
Kryeministri Rama po këtë ditë ka thënë se studentët duhet të adresojnë çështje edhe më të rëndësishme se sa plotësimin e 8 kërkesave të tyre.
“Ato 8 pika janë të rëndësishme vetëm për faktin që na sollën këtu, për të tjerat, sikur t’i marrim t’i plotësojmë sot një për një – ato do të plotësohen, nuk e di si e prisni ju që do të plotësohen, por angazhimi i Qeverisë është që ato të plotësohen, do të adresohen një për një”, është zotuar ai para studentëve.
Protestuesit kanë ndërprerë mësimin prej dy javësh dhe thonë se kërkesat e tyre janë të panegociueshme dhe se nuk do të bisedojnë me asnjë prej autoriteteve shtetërore dhe universitare.