Ramabaja lirohet nga akuza, Avni Llumnica shpallet fajtor në rastin “Syri i Popullit”

11 nëntor 2022 | 10:45

I akuzuari Avni Llumnica është dënuar me 4 vite e gjashtë muaj burgim, kurse Sadri Ramabaja është liruar nga akuza.

Në këtë rast, Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me tani të ndjerin M.J. Ndërsa, Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, Avni Llumnica në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Dënimi i shqiptuar me burg do të hyjë në fuqi pasi plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“Është fjala për pjesën e mbetur sepse të njëjtit do t’i llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim nga datat 13 mars 2018 deri më datën 20 prill 2021”, tha gjykatësi Konxheli.

Pala e dëmtuar, Azem Vllasi për pikën 1 të aktakuzës ku i pandehuri Avni Llumnica është shpallur fajtor, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest civil.

Sipas nenit 364, pika 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata ka marrë aktgjykim lirues ndaj Sadri Ramabajës, pasi nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet.

Shpenzimet e procedurës penale lidhur me pikën 2 të aktakuzës bien mbi mjetet buxhetore të gjykatës.

Në anën tjetër, të akuzuarit dhe mbrojtësit të tyre kanë kërkuar lirimin dhe shpalljen të pafajshëm me pretendimin se nuk është vërtetuar aktakuza e prokurorisë.

Në këtë çështje penale, në cilësinë e të akuzuarit ka qenë edhe Bajrush Konjusha, mirëpo ai pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje, është dënuar me 300 euro gjobë.

Duke vepruar konform rekomandimeve të Apelit, PSRK kishte ngritur aktakuzë të re në këtë rast.

Sipas aktakuzës së 27 tetorit 2020, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha janë tashmë të vetmit të akuzuar në këtë rast.

Kjo pasi që PSRK hoqi dorë nga vepra penale kundër rendit kushtetues respektivisht nga dyshimi për ekzistimin e një grupi kriminal “Syri i Popullit”.

Me aktakuzën e re, Llumnica akuzohet se në bashkëkryerje me tani të ndjerin M. J. kishin tentuar të privojnë nga jeta, Azem Vllasin.

Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe M.J të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohej për veprën penale të armëmbajtjes.

Lidhur me akuzën ndaj të ndjerit M.J, sipas vendimit të Apelit, meqenëse i njëjti kishte probleme shëndetësore, rasti i tij ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila kishte ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018 kishte ngritur aktakuzën e parë për këtë rast.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Kombëtares së Anglisë, Gareth Southgate ka treguar pse…