Ramadani: Arroganca e Osmanit dhe Kurtit shkaktoi mosfleksibilitetin e vendeve të Quntit
Kushtet e aleatëve ndaj Kosovës i ka komentuar edhe ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, Ai ka thënë se kushtëzimin ka ndodhur për shkak të arrogancës së kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani ndaj ambasadorëve të vendeve të Quintit.
“Osmani e Kurti ishin shumë arrogantë ndaj ambasadorëve të Quintit gjatë takimit më 3 prill 2024. Atë ditë, ambasadorët e Quintit paraqitën kushtin e shteteve të tyre për mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Diskutimi me arrogancë kishte arritur edhe në nivel të toneve të larta, madje vetëm fjala ‘pushtues’ mungoi! Arroganca e 3 prillit e dobësoi vlerën e letrës së garancive të datës 22 mars 2024”, ka shkruar Ramadani në “Facebook”.
Ai ka treguar se në reagimin e qeverisë ka një mosqartësim serioz dhe të qëllimshëm. “dërgimi i draft-statutit në Gjykatë Kushtetuese nuk është kusht për anëtarësim në KiE, por është kusht i disa shteteve për të votuar Pro! Pra, ka dallim thelbësor! Kushdo mund të bëjë kallaballëk fjalësh, por sikurse jemi mësuar, assesi s’po mund ta thonë troç të vërtetën! E vërteta është se ky paraqet një dështim serioz diplomatik të Kosovës! Kosova ka dështuar të merr mbështetjen e shteteve të Quintit që janë anëtare në KiE për të votuar pro anëtarësimit të Kosovës! Ka dështuar t’i bind këto shtete për të marrë votën e tyre! Me arrogancë nuk binden, por me argumente të qëndrueshme. Po të largonin arrogancën, jam i bindur se 4 shtetet e Quintit në KiE do të ishin fleksibile në raport me draft-statutin!”, ka shkruar Ramadani.