Ramadani: Dua mbijetesën me Leccen, pastaj Evropianin me Shqipërinë
Mesfushori i Lecces dhe i Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani foli në një konferencë për shtyp para ndeshjes ndaj Sassuolos. “Seria A është e vështirë. Do të jetë thelbësore të marrim sa më shumë pikë në këto gjashtë ndeshje”, ka thënë Ramadani.
I pyetur për ndikimin e trajnerit Luca Gotti në paraqitjen e skuadrës, mesfushori nga Ferizaj u përgjigj: “Trajneri ndryshon formacionin nga ndeshja në ndeshje. Tani luajmë me dy në mesfushë. Jemi më kompakt, kjo është një rrugë më e mirë për t’u ndjekur dhe nuk pësojmë gol në tre ndeshjet e fundit. Tani jemi të përqendruar te ndeshja e radhë që është Sassuolo”.
“Euro 2024? Kur hyj në fushë kam besim të madh, nuk kam frikë nga askush. Thjesht dua të bëj mirë dhe ta fitoj ndeshjen. Dua të arrij fillimisht mbijetesën me Leccen dhe më pas të bëj mirë në Kampionatin Evropian me Shqipërinë”, ka deklaruar futbollisti shqiptar.