Ramadani: Duam rezultat pozitiv ndaj Çekisë, jap gjithçka për këtë fanellë
Në konferencë për medie të mërkurën tri ditë përpara sfidës së parafundit në Grupin B1 të Ligës së Kombeve, ishin prezent dy futbollistët e kombëtares tonë, sulmuesi Indrit Tuci si dhe mesfushori i Lecces, Ylber Ramadani.
Ramadani, lidhur me dy ndeshjet e fundit të ekipit kuqezi u shpreh: “Të dyja kundërshtaret janë të forta por ne po mendojmë njëherë për Çekinë dhe pastaj për Ukrainën. Po përgatitemi si të luajmë kundër tyre, kemi avantazh tifozët tanë që janë një shtysë e madhe për ne. Në futboll funksionon ndeshje pas ndeshje, presion ka gjithmonë por duhet të dimë ta përballojmë. Ndeshjen atje e humbëm prej dueleve dhe topave të gjatë, por këtu duhet të jetë diçka tjetër. Unë me këdo që të luaj ambientohem shpejt, unë mund të rri dhe mbrapa për të ndihmuar mbrojtjen. E di trajneri për mënyrën e vendosjes në fushë. Nuk lodhem asnjëherë, por ata që më ndihmojnë është mirë dhe jap gjithçka për të luajtur më mirë”.
“Nuk i shikoj statistikat, por vetëm analizën e trajnerit, nuk kam kohë për ti shikuar. Sulmuesi i Çekisë është shumë i gjatë dhe duhet ta mbulojmë dy veta, është i fortë fizikisht, ai e bën gjithë lojën e Çekisë. Të gjithë që kemi ardhur këtu duam që të marrim rezultatet pozitive. Do bëjmë maksimumin për ti marrë fitore. Do të ndryshojmë qasjen dhe përkushtimin në ndeshje”, ka deklaruar Ramadani.