Ramadani e Gashi bëjnë homazhe tek varri i ushtarit të panjohur në Paris
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, kanë bërë homazhe tek varri i ushtarit të panjohur në Paris të Francës, tek Harku i Triumfit.
Nën iniciativën e Ambasadës së Kosovës, për nder të 11-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, zëvendësministri Ramadani dhe ambasadori Gashi kanë marrë pjesë në ceremoninë e “Ravivage de la Flamme” për të rënët për liri. Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe nënkoloneli i FSK-së, Ali Krasniqi.
Ceremonia zyrtare e homazheve tek varri i ushtarit të panjohur është zhvilluar sipas protokollit më të lartë francez, nën tingujt e himnit të Kosovës dhe himnit të Francës, ndërsa të pranishëm kanë qenë ish-ushtarakë të lartë francezë dhe një numër i madh i qytetarëve që kanë përcjellë ceremoninë.
Pas ceremonisë, të pranishmit kanë qëndruar në ambasadën e Republikës së Kosovës në Paris.
“Kujtimi për të gjithë që dhanë jetën për lirinë është bindje dhe besim. Liria është e drejta e secilit popull. Një shekull më parë liridashësit në Francë e kudo në Evropë dëshmuan vlerën e përballjes me te keqen. Ndërsa, gati 20 vjet më parë populli i Kosovës gëzoi për herë të parë lirinë”, ka thënë Ramadani.
/Epoka e re/