Ramadani i kundërpërgjigjet NATO-s rreth transformimit të FSK-së
Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Burim Ramadani, ka reaguar ndaj deklaratës se sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Kosova mund të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e FSK-së në ushtri.
Ramadani ka thënë se tranzicioni i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s.
“Duhet të kuptojmë vështirësitë e NATO-s për konsensus për shkak të shteteve jonjohëse aty. Ne fatkeqësisht nuk kemi pasur qasje direkte në kryeqytetet e disa prej këtyre shteteve jonjohëse për t’ia shpjeguar procesin dhe planin e Kosovës”, ka shkruar Ramadani në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Ramadanit:
Nuk ka vend fare për konfuzion. Tranzicioni i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s.
Duhet të kuptojmë vështirësitë e NATO-s për konsensus për shkak të shteteve jonjohëse aty. Ne fatkeqësisht nuk kemi pasur qasje direkte në kryeqytetet e disa prej këtyre shteteve jonjohëse për t’ia shpjeguar procesin dhe planin e Kosovës.
Sidoqoftë, ne mirëpresim thellimin e angazhimit të NATO-s në Kosovë, përmes NALT-it dhe Bashkëveprimit të Zgjeruar.
KFOR-i po ashtu do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe do të thellohet bashkëpunimi.
Tranzicioni i FSK-së është proces legjitim dhe gradual. Pas miratimit të ligjeve, FSK do të ketë transicion 10 vjeçar për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale.
Kosova synon të jetë anëtare e NATO-s, i takon këtyre vlerave dhe do tê thellojë përpjekjet për këtë Qëllim Kombëtar.
Kosova dhe FSK është e gatshme që krah për krah me ushtritë e shteteve anëtare të NATO-s të ndihmojë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajone të ndryshme nëpêr botë.