Ramadani: Janë veç spekulime dhe propagandë, FSK-ja nuk ka shkuar në veri
Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku policia sot ka zhvilluar një aksion në këtë pjesë.
Ramadani përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se FSK-ja sot nuk ka shkuar në veri.
Ky lajm sipas tij është spekulim.
“Duke parë spekulime dhe propagandë të vazhdueshme të lidershipit dhe mediave në Serbi, sidomos nga dita e djeshme, e bëj të qartë për opinionin se Ministria dhe Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe asnjë lëvizje në veri të Kosovës. Përkundrazi, MFSK, gjegjësisht FSK vazhdon angazhimet e saj të rregullta dhe në normalitet. Ne respektojmë mandatin ligjor dhe Kushtetutës, ku përgjegjësitë reaguese në situata të tilla i takojnë Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Asgjë të vërtetë nuk ka nga këto spekulime dhe kjo propagandë. Kjo propagandë ka për qëllim t’i shërbejë qëllimeve politike të lidershipit në Serbi. Mos bjereni pre e kësaj propagande!”, ka shkruar Ramadani.
/Epoka e re/