Ramadani: Kalimi në fazën e dytë, synimi i Kosovës
Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Taip Ramadani, ka thënë se është shumë i kënaqur me konkurrencën në ekipin përfaqësues të “dardanëve”. Numri një i shtabit teknik e ka pranuar se ka pasur vështirësi për ta përzgjedhur ekipin për shkak të konkurrencës së madhe.
“Seleksionimi i këtij ekipi ka qenë ndër më të vështirët që kemi bërë vitet e fundit. Ka konkurrencë të madhe në të gjitha pozitat dhe jam shumë i kënaqur që kam filluar të ndiej një vullnet të lartë në mesin e lojtarëve për ta përfaqësuar shtetin tonë. Po e vërej një rrymë të re dhe shpresoj ta shprehim këtë energji në fushë të hendbollit”, ka thënë Ramadani.
Në radhët e Kosovës tre hendbollistë do ta bëjnë debutimin. Lidhur me këtë përzgjedhësi Ramadani ka deklaruar: “Në këtë grumbullim kemi ftuar për herë të parë Liridon Zenën që e kemi përcjellë për tre vjet. Është portier që me vite aktivizohet në Kroaci, kurse po ka një stinor të shkëlqyeshëm me klubin e tij. Për herë të parë në ekipin A na bashkohet Albin Xhafolli, që mori pjesë në Kampionatin Botëror për Juniorë në Spanjë dhe më ka lënë mbresa të mira si teknik i shkëlqyeshëm. Kemi ftuar në këtë grumbullim edhe Leonard Gegajn. 18-vjeçari është një lojtar i së ardhmes. Është pjesë e Savehofit në Suedi ku luan edhe Gëzim Salihi. Leonardi verën e kaluar ishte në Prishtinë dhe pata rastin ta shoh në stërvitje. Menjëherë më la përshtypje. Ka shpejtësi, forcë eksplozive dhe inteligjencë të jashtëzakonshme për moshën e tij. Kemi ftuar disa lojtarë të rinj dhe jam i bindur se u ka ardhur koha të marrin përgjegjësi më të madhe dhe ta fillojnë udhëtimin në elitën ndërkombëtare të hendbollit”.
“Dardanët” janë në grupin e tretë së bashku me Italinë, Rumaninë dhe Gjeorgjinë, kurse përzgjedhësi Taip Ramadani ka thënë se synim i Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit 2021 është kalimi i një raundi. “Kemi një synim në Itali, të kalojmë në fazën e dytë. Kemi ekip cilësor që gjithnjë është në ngritje. Më nuk duhet të kënaqemi vetëm me paraqitje dinjitoze. Duhet të jemi ambiciozë, të luftojmë të barabartë me çdo ekip dhe të besojmë në aftësitë tona”, ka thënë Ramadani.
Më 10 janar Kosova luan me Italinë, më 11 janar me Rumaninë, kurse më 12 janar me Gjeorgjinë. Fituesi i grupit avancon në raundin tjetër, kurse ndeshjet luhen në Benevento të Italisë.
/Veton ZYMBERI/