Ramadani ‘kërcënon’ TNS-në
Kampionia e Kosovës, Feronikeli do të jetë mysafir i The New Saints, për ta zhvilluar ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për UEFA Champions League.
Futbollistët dhe stafi kanë arritur tashmë në Uells, në shtetin ku do të zhvillohet takimi i parë mes skuadrave.
Për ndeshjen ka folur kryetrajneri, Zekirija Ramadani, i cili për faqen zyrtare të klubit, ka thënë se skuadra do ta japë maksimumin për një rezultat pozitiv në Uells, në mënyrë që të jetë më e lehtë për ndeshjen e kthimit që zhvillohet në Kosovë.
“Ekipi ishte e lodhur nga udhëtimi, prandaj dje bëmë një stërvitje të lehtë, kurse sot jemi më të çlodhur dhe stërvitjen do ta zhvillojmë në kohën kur edhe do të fillojë ndeshja të martën, në orën 19:00 (ora 20:00 me kohën tonë). Jemi akomoduar mirë, kushtet janë shumë të mira, në një hotel me pesë yje dhe tani ndihemi më të çlodhur”, ka thënë Ramadani.
“Duam ta japim maksimumin për një rezultat pozitiv, pasi që do të ishte shumë më mirë për ndeshjen e kthimit. Fusha ku do të zhvillohet ndeshja është me bari artificial, por shpresoj që nuk do të jetë problem, pasi që edhe gjatë javës në Kosovë kemi stërvitur në fushë artificiale”, ka deklaruar Ramadani.
Ndeshja mes The New Saints dhe Feronikelit fillon prej orës 20:00.