Ramadani kërkon sqarim nga KFOR-i: Pse e ndaloi ministrin Krasniqi të hyjë në objektin komunal në Zveçan?

02 shkurt 2024 | 12:14

Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadni, ka kërkuar sqarime nga KFOR-i se pse ia ka ndalur ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, hyrjen në Komunë të Zveçanit.

Ai ka bërë me dije se një veprim i tillë i KFOR-it është i paprecedent.

Ramadani ka shkruar në “Facebook” se ushtarët e KFOR-it nuk e kanë lejuar të futet në komunë ministrin Krasniqi, edhe pas disa komunikimeve me nivelin më të lartë qeveritar.

“Duhet sqarim nga KFOR – pse ndaloi Ministrin Elbert Krasniqi të hyjë në objektin komunal në Zveçan? Ministri Krasniqi, një ministër aktiv, përfaqëson shtetin e Kosovës kudo që shkon. Dhe, t’i ndalohet hyrja në objektin komunal në Zveçan, pra brenda shtetit, është e paprecedent dhe shqetësuese. Ministër Elbert Krasniqi, çka ndodhi? Cili ishte arsyetimi i KFOR-it? Pse nuk ndryshuan qëndrim ushtarët e KFOR-it edhe pas disa komunikimeve tua me nivelin më të lartë qeveritar?”, ka shkruar Ramadani, duke shtuar se ky rast është shqetësues.

“Transparenca ndihmon demokracinë. Ky rast nuk është i thjeshtë, por tejet shqetësues. Ministri i Republikës nuk duhet të ndalet nga KFOR-i dhe nga askush në këtë botë për të kryer punën e vet!”, ka shkruar Ramadani.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Viedita Jusuf Veliu e lindur më 15.05.1989, shpall të pavlefshme…